
Shqipëria pritet të mbyllë sot tre kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së IX Ndërqeveritare Shqipëri–BE, që zhvillohet në Bruksel.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në konferencën ku do të formalizohet mbyllja provizore e Kapitullit 25 "Shkenca dhe Kërkimi", Kapitullit 26 "Arsimi dhe Kultura" dhe Kapitullit 30 "Marrëdhëniet me Jashtë".
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) miratoi më 10 korrik pozicionin e përbashkët të BE-së për mbylljen provizore të këtyre tre kapitujve, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në reformat dhe procesin e integrimit evropian.
Ky vendim përbën një sinjal të qartë politik të mbështetjes nga shtetet anëtare dhe Komisioni Evropian për ecurinë e vendit në përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe konfirmon besimin në aftësinë e Shqipërisë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit.
Miratimi nga COREPER vlerëson rezultatet konkrete të reformave të ndërmarra ndër vite, nivelin e avancuar të përafrimit me acquis-in e Bashkimit Evropian dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për realizimin e Agjendës Evropiane "Shqipëria 2030".
Edhe Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi 15 korrikun një ditë historike për procesin e zgjerimit, duke e përshkruar atë si një "Super të Martë" për katër vendet që po avancojnë më shpejt drejt anëtarësimit.
"Sot është një Super e Martë për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada po zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare në të njëjtën ditë", shkroi Kos në rrjetin social X.
Sipas saj, Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi po hedhin hapa të rëndësishëm në negociatat me Bashkimin Evropian.
Tre kapitujt që pritet të mbyllen lidhen me shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën, si edhe marrëdhëniet me jashtë, fusha në të cilat Shqipëria ka përmbushur standardet e kërkuara nga BE-ja.
Sipas axhendës, Konferenca Ndërqeveritare do të nisë në orën 19:00, ndërsa në orën 20:00 do të zhvillohet një konferencë për shtyp mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Mbyllja e këtyre tre kapitujve vjen pasi Shqipëria kaloi me sukses një nga fazat më të rëndësishme të negociatave, përmbushjen e piketave të ndërmjetme (IBAR), një proces që u shoqërua me debate dhe diskutime të shumta.
Pas këtij hapi, Shqipëria do të duhet të përmbushë kushtet për mbylljen e 30 kapitujve të mbetur, me synimin që procesi teknik i negociatave të përfundojë brenda vitit 2027.
Më pas, vendimi për anëtarësimin do të jetë politik dhe do të kërkojë miratimin nga parlamentet e të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.



