
Forcat ushtarake turke kanë marrë kontrollin e plotë të kryeqendrës së rajonit sirian Afrin, e cila mbahej nga forcat kurde, njoftoi të dielën Presidenti Rexhep Tajip Erdogan. Ushtria turke hyri në qytet para agimit dhe nuk u përballë me rezistencë nga luftëtarët kurdë, të cilët ishin tërhequr tashmë, sipas raporteve. Erdogan tha në një fjalim televiziv mëngjesin e kësaj të diele se do të ndërmerren të gjitha masat për të mbrojtur banorët e Afrinit.
Erdogan tha se Turqia dhe aleatët e saj nuk kanë pushtuar Afrin, por "e kanë shpëtuar" qytetin nga "shtypja" e terroristëve. "Ky operacion i ka treguar të gjithë botës se Turqia qëndron me të shtypurit," tha ai, siç citohet nga Rrjeti Mediatik Rudaë. Korridori i terrorizmit është thyer në katër fronte”, tha kreu i shtetit turk duke iu referuar përpjekjeve të ushtrisë kurde, e lidhur me Partine e Punëtorëve të Kurdistanit, për të krijuar një korridor përgjatë kufirit me Turqinë.
Ushtria turke lëshoi një numër videosh dhe fotosh nga brenda Afrin. Pamjet tregojnë tanket që lëvizin në rrugë, ndërsa ushtarët valvitin flamujt turk dhe të Ushtrisë së Lirë Siriane. Megjithatë, zyrtarët kurdë mohojnë se e kanë braktisur Afrin. Sipas tyre, luftëtarët kurdë u larguan nga qyteti për të evakuuar civilët e rrezikuar nga masakra e ushtrisë turke.



