Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka udhëtuar drejt Mirditës për një takim me strukturat e partisë. Basha u ndal te rasti i sekuestrimit të drogës në Rrëshen disa ditë më parë, për të cilin tha se është dëshmia e kthimit të shtetit në një bandë që përplaset për pazare droge.
“U rrethua ish-pularia sepse ishte sinjalizuar prani e madhe e drogës. Çfarë ndodhi?! Policia e Rrëshenit u tërhoq, iku fare nga skena, Policia e Lezhës nuk pranonte të ndërhynte. A nuk janë këta policët që i marrin shpirtin qytetarit se nuk ke vënë rripin e sigurisë?! A nuk janë këta që Saimir Tahiri i çon për të marrë fermerin, fshatarin, qytetarin që vë pesë tjegulla në çatinë e vet dhe i rras brenda, i terrorizon, apo për një faturë tatimore, apo për çështje të energjisë dhe kur shkojnë te pularia për të kapur drogën, sillen si pulat vetë”, tha ai.
Basha akuzoi Ramën se i intereson vetëm pasurimi dhe fama e tij personale.
“Sot në Shqipëri kemi një qeverisje e cila shqetësohet vetëm për pasurinë e vet dhe vetëm për pushtetin e vet. Sot në Shqipëri kemi një regjim i cili shqetësohet vetëm për paratë dhe pushtetin e vet. Për paratë dhe pushtetin e vet, kjo qeveri shkel ligjin, mbron kriminelët, godet të pambrojturit. Për paratë dhe pushtetin e vet Edi Rama e ka shndërruar buxhetin e shtetit në pasurinë e tij private me të cilën pasurohet ai dhe një grusht njerëzish.”



