
Greqia pritet të marrë mbi 4 miliardë euro nga Fondi Social i Klimës së Bashkimit Evropian, me qëllim luftimin e varfërisë së energjisë. Fondi po krijohet për të trajtuar efektet e rritjes së çmimeve të energjisë në çmimin e karbonit.
Burimet do të përdoren për të financuar veprime që do të mbështesin grupet vunerabël dhe ndoshta do të përfshijnë subvencione për përmirësimin e energjisë për ndërtesat, instalimet e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe furnizimin e automjeteve elektrike.
Këto vlerësime janë bërë të enjten nga burime pranë Komisionit Evropian, në funksion të përgatitjeve për zbatimin e legjislacionit të ri për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë të paraqitur nga Komisioni në korrik 2021.
Prodhuesit e energjisë elektrike si dhe një sërë industrish janë të detyruar të kenë leje për emetimin e dioksidit të karbonit që prodhojnë. Masa do të shtrihet në transport dhe ndërtesa deri në vitin 2025, që do të thotë se benzina, nafta, ngrohja dhe gazi natyror do të përballojnë koston e dioksidit të karbonit të emetuar në atmosferë gjatë djegies. Fondi do të ndajë 72.2 miliardë euro në 2025-2032 për të mbështetur grupet sociale më të prekura nga rritja e kostove të energjisë.



