Europa po numëron disa dhjetëra mijëra të infektuar në ditë, ndërsa autoritetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë paralajmëruar pesëfishim të numrit të vdekjeve krahasuar me muajin prill të këtij viti.
Hans Kluge, kreu i zyrës së Evropës të OBSH ka deklaruar se rreth 280 mijë jetë mund të shpëtoheshin në Evropë deri në Shkurt nëse 95% e njerëzve do të kishin mbajtur maska dhe nëse do të kishin ruajtur distancimin fizik.
Më problematike situata po paraqitet në Francë, ku gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar mbi 30 mijë raste të reja. Kryeministri Zhan Kasté u bëri thirrje qytetarëve të kuptojnë seriozitetin e situatës. Edhe disa vende të tjera regjistruan shifrat më të larta të koronavirusit, duke u përpjekur ta parandalojnë sëmundjen me kufizime të pjesshme.
Në Gjermani, janë regjistruar 6.638 raste pozitive, ndërsa Italia shtoi 8.804 raste të reja. Më shumë se 7,500 raste u raportuan gjithashtu në Hollndë dhe 8,000 në Poloni, ku qeveritë kanë zbatuar një sërë kufizimesh. Ndërsa në Londër, kufizimet do të hyjnë në fuqi mbrëmjen e së premtes.
Portugalia, gjithashtu, ka parë një rritje rekord të përditshme këtë javë. Belgjika është vendi tjetër që mund të forcojë kufizimet e tij kundër virusit. Vendi me 11 milion banorë ka një normë incidence prej 423 infeksionesh për 100,000 njerëz - një nga më të lartat në Evropë. Në Bruksel, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u detyrua të anulonte pjesëmarrjen në një samit të liderëve të BE për t’u vetëizoluar pasi një anëtar i ekipit të saj rezultoi pozitiv për Covid 19. Situata aktualisht po paraqitet mjaft shqetësuese në Rusi, ku në total janë regjistruar 1.3 milion raste, ndjekur nga Spanja dhe Franca, përkatësisht me 908,000 dhe 850,000 raste. Mbretëria e bashkuar ndërkohë, ka numrin më të lartë të vdekjeve në kontinent me 43,000, pasuar nga Italia me 36,000 vdekje dhe Spanja me 33,000 njerëz që humbën jetën për shkak të sëmundjes.



