Miliona metra tokë të falura, nuk ka monitorim për vlerën e investimit dhe numrin e të punësuarve të investitorëve strategjikë.

Miliona metra tokë të falura, nuk ka monitorim për vlerën e investimit dhe numrin e të punësuarve të investitorëve strategjikë.

Thithja e kapitaleve të huaja përmes ligjit të investimeve strategjike, mbeti e shkruar vetëm në relacionin shoqërues të projektligjit gjatë miratimit dhe ashtu duket se mbetën dhe efektet që do të prodhonte kjo nisëm.

Shumica e projekteve që janë miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike janë në fushën e turizmit, 31 projekte nga 42 që kanë marrë statusin special ‘strategjik’ në total. 6 të tjera janë në sektorin e bujqësisë, 2 në industri dhe 3 në energji.

 Ligji për investimet strategjike, nuk ka vetëm turizimin sektor prioritar

Sektorë strategjikë, në zbatim dhe për efekt të këtij ligji, konsiderohen:  sektori energjetik dhe minerar, sektori transport, infrastructure, komunikime elektronike dhe mbetjet urbane, sektori turizëm, sektori bujqësi dhe peshkim, sektori zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe zona me përparësi zhvillimin.” thuhet në Ligjin për Investimet Strategjike.

Devijimi i sektorëve prioritarë, jo vetëm ka deformuar parimet kryesore të ligjit por është duke u përdorur nga grupet e bizneseve si një mundësi e artë për të përfituar tokë falas. Investitorët që marrin statusin ‘strategjik’ përfitojnë tokë në këmbim të vlerës simbolike 1 euro, por po ashtu kanë fuqi që të shpronësojnë me çmimet e referencës dhe jo vlerën e tregut tokat private. Raste të tilla janë konstatuar me investimet strategjike në qarkun e Vlorës, Shkodrës dhe Tiranës.

“Ligji në Shqipëri e ka bërë kryeministrin pronar të zonave të mbrojtura dhe tokave. Ai thotë kur të dojë dhe si të dojë, këtu në këtë zonë të mbrojtur do të ndërtohet dhe këtu nuk do të ndërtohet. Ai vendos fatin e pronarit të tokës. Po të shohim nuk ka asnjë investitor të huaj që vjen në Shqipëri dhe jo se i kemi frikësuar, por as nuk guxojnë të vijnë për shkak të shklejeve të parimeve të konkurrencës.” thotë deputeti Agron Shehaj.

Përveç sektorit të turizmit, i cili de facto mbështetet te industria e ndërtimit, qëllimi kryesor i ligjit të pompuar me të madhe ishte thithja e sa më shumë kompanive të huaja për të ardhur në Shqipëri. Në 8 vjet të funksionimit të këtij ligji në Shqipëri, investimi i vetëm i huaj që ka përfunduar dhe ka dhënë efekte në punësim dhe rritje të fuqisë së industrisë në vend është fabrika  e prodhimit të pjesëve të makinave e firmës koreane Yura Corporation e vendosur në qarkun e Fierit.

Së fundi, Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar këtë status për dy kompani të huaja për të investuar në fushën e energjisë, njërin për parqe me erë ne Balldren të Lezhës dhe një tjetër nga kompania Eralb Invest në Tropojë, investime që janë në fazën fillestare të tyre.

Një tjetër në fushën e bujqësisë nuk dihet se në cilën fazë investimi është, ndërsa kanë nisur dy investime të huaja, njëra në zonën e gjirit të Lalzit nga Omnix Albania që është me kapital shqiptar dhe të huaj dhe po ashtu investimi në Durrës Marina nga kompania Eagle Hills Real Estate dhe shteti shqiptar. Investimet janë gjithashtu në fazën fillestare dhe mbështetin modelin ekonomik në parashitjet.

Projekti ‘Jonian Heaven’ nuk ka ecur dhe i ka përfunduar afati për pajisjen me statusin përfundimtar strategjik. Edhe projekti Cape of Rodon faza 1, i cili ka paraqitur një plan ambicioz për të investuar 51 milion euro ka mbetur në letër, ndërsa statusi si investitor strategjik i përfundon në korrik të këtij viti.

Një tjetër investitor shqiptar i bashkuar me një grup me bazë në Zvicër Finsec, kanë arritur të marrin statusin investitor strategjik për projektin Marina Hills në bashkinë e Kavajës.

Kompania investitore nga Zvicra ka një historik problematik në përfundimin brenda afateve të marinës turistike në Kalanë e Turrës dhe kontrata për atë projekt është në shkelje të përsëritura të afateve.

Një tjetër projekt strategjik ishte ai ndërtimit të Termocentralit të qymyrit në Korçë, investim që më pas u revokua nga autoritetet vendore për shkak të ndotjes që shkaktonte në mjedis dhe sot po përball Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. 

Së fundi, Komiteti i Investimeve Strategjike revokoi të drejtën ëpr të dnërtuar një hotel bulevardin e ri të kryeqytetit grupit nga Arabia Saudite Al Shiddi dhe i dha statusin strategjik për një projekt të ngjashëm me kazino projektit The Cliffs, kompani me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përfaqësues shqiptaro - amerikanë.

Në total janë 11 grupe shqiptaro – të huaja që kanë marrë këtë status, prej të cilëve vetëm 2 firma janë tërësisht të huaja dhe vetëm 1 ka përfunduar.

“Misioni i këtij ligji ishte që të thërrësinim sa më shumë investitorë të huaj dhe t’ia bënim jetën më të lehtë nga pikëpamja fiskale dhe proceduriale, çfarë pamë pas kaq vitesh të zbatimit të ligjit ishte që u përdor gjerësisht nga njerëz të lidhur me pushtetin për të grabitur prona shtetërore dhe private në zonat më të mira dhe shohim që as 10% e investitorëve nuk janë të huaj.” thotë eksperti i ekonomisë Pano Soko.

Sot pyetja që ngrihet është se çfarë zhvillimi i kanë sjellë ekonomisë së Shqipërisë projektet që zyrtarët e lartë i kanë dhuruar këtyre bizneseve?

Në total, vlera e projekteve të miratuara në fushën e turizimit është 4 miliard euro, ku 2 miliard janë vetëm nga projekti Durrës Yacht Marina dhe 784 milion euro janë në qarkun e Vlorës.

Nga këto projekte, janë 10 investime që kanë nisur të zbatohen që në vitin 2016 dhe kanë përfunduar ose janë drejt fundit të tyre, ndërsa 6 të tjera nuk kanë filluar ende dhe një pjese të tyre i ka përfunduar afati.

Ekonomia nominale për qarkun e Vlorës duhet të ishte rritur minimalisht me 150 milion euro në vit, nëse projektet do të kishin ecur sipas planit, por sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, ekonomia në këtë rajon nga viti 2016 deri më sot është rritur me 45 milion euro në vit.

“Angazhimi i qeverisë shqiptare përballë Bashkimit Europian është që ne do të sjellim në BE 20% të territorit zonë të mbrojtur. Por nuk mund të jetë e mbrojtur Delta e Palasës me gjithë atë masiv ndërtimi aty.” thotë Olsi Nika nga ‘Eco Albania’.

Një tjetër aspekt që duhet të shihet është edhe kriteri ligjor i numrit të vendeve të punës që hapin këto projekte. Që të marrësh statusin strategjik në turizëm, ligji kërkon që të hapësh mbi 80 vende pune. Por po të shohësh në detaje, projektet strategjike kanë vendosur shifra kontradiktore.

Për shembull, projekti i kompanisë Delta në Dhërmi, tregon se do të investojë 155 milion euro dhe do të hapë 200 vende pune. Një tjetër projekt është Dhërmi Resort, në pronësi të Gazmend Pajës dhe Lulzim Mehmetaj. Këta të dy kanë dërguar në Komitetin e Investimeve Strategjike një projekt me vlerë investimi 13 milion euro dhe do të hapin po 200 vende pune. Vlera e investimit është 140 milion euro më pak, por premtojnë se do të punësojnë të njëjtin numër.

Sipas dokumentave, vetëm projektet e dhëna në turizëm, duhet të sillnin punësimin e 20.623 personave. Kronos iu drejtua zyrtarisht përmes një kërkese për informim Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve për të pyetur për numrin e personave të punësuar, ecurinë e projekteve dhe revokimet e statusit të investitorit strategjik. Por në përgjigje thuhet se nuk është kjo agjenci që bën monitorimin, dhe këto të dhëna merren nëse kompanitë kanë lidhur marrëveshje me autoritetet, nëse ka një të tillë.

Për çdo projekt investimi për të cilat me vendim të Këshillit të Investimeve Strategjike është miratuar një nga masat mbështetëse që parashikon legjislacioni në fuqi, ekzekutimi i masës realizohet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave dhe një kontrate të lidhur me autoritetin kompetent. Në këtë rast kontrata e lidhur i nënshtrohet monitorimit nga autoriteti kompetent sipas kushteve të miratuara dhe dakordësuara mes palëve. Referuar të gjitha projekteve strategjike të miratuara, numri i atyre projekteve për të cilat është lidhur kontratë me autoritetin është 11.” thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve

Agjencia për Zhvillimin e Investimeve që asiston këtë proces, pranon se vetë ligji le të hapur hapësirën për të abuzuar me vlerën e investimit dhe numrin e të punësuarve dhe monitorimi ndodh vetëm për kontratat që lidhen me institucione të tjera, por për angazhimet që merren në kontratë.

“Është lënë e paqartë se cili është autoriteti që duhet të monitorojë investimet strategjike. Plani i investimit dhe numri i punësimit është i rëndësishëm. I kemi dhënë këto lehtësira por ne çfarë kemi përfituar?” konstaton eksperti Soko.

Për ekspertët dhe komunitetin e biznesit, ligji për investimet strategjike nuk duhet të veprojë më, pasi ka përfunduar duke deformuar konkurrencën. Projektet nuk kanë vetëm mangësi në përmbushjen e detyrimit për të zbatuar afatet e ndërtimit dhe numrin e punësimeve, por janë miratuar në kushtet kur shumë kompani nuk justifikojnë kapacitetet financiare.

Gjysma e investitorëve strategjikë në fushën e turizimit, kanë dorëzuar si kapacitet financiar një letër interesi kredie nga bankat e nivelit të dytë, ose kontratë sigurimi nga kompanitë e siguracioneve.

Bilancet e tyre sa u takon kapitalit apo të ardhurave, janë në vlera modeste, duke ngritur pikëpyetje të mëdha se ku do të gjenden qindra miliona euro për të bërë këto investime? Për ekspertët, vetë ligji ka hapësira që lejojnë depërtimin e parave të pista, pasi ka si kusht që firma të ketë vetëm 10% të vlerës së investimit. 

“Fakti që investimet strategjike janë të drejtuara më shumë drejt turizimit është për shkak të dumpimit që i ëhstë bërë në Shqipëri sektorit të pasurive të patundshme nga një para me burim të paqartë ku brenda janë dhe aktivitetet kriminale droga dhe trafiku, por dhe korrupsioni.” thotë Soko.

Përveç përfitimit të benefiteve në natyrë siç është toka dhe shfrytëzimi i plazhit, investitorët strategjikë kanë të drejtë të kërkojnë vendime administrative që prodhojnë pasoja sociale si prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe garantimin e moslegalizimit të shtëpive nga autoritet duke prodhuar edhe pasoja sociale.

Një nga shembujt më konkretë është rasti i kompanisë Imperial Group për projektin “Silver Sand” në Velipojë, ku kërkohet prishja e ndërtimeve të paligjshme dhe garantimi i moslegalizimit të shtëpive të ndërtuara pa leje nga autoritet, ndërsa një nga aksionerët e këtij investimi Pëllumb Gjoka është në masën e arrestit të lëshuar nga Gjykata e Posaçme i dyshuar si pjesë e një grupi kriminal.

Raste të ngjashme janë denoncuar nga opozita për dhënien e favoreve përmes statusit strategjik njerzve të afërt të ministrave në qeverinë Rama.

“Ligji ka patur si qëllim të qartë: moslejimi i garës për të vjedhur pa shkelur ligjin dhe marrja e pronave shtetërore dhe private. Me firmën e kryeministirit është shapllur ministrja e kabinetit të tij në atë kohë Olta Xhaçka investitore strategjike. Kërkuam heqjen e mandatit sepse kishte shkelur Kushtetëtuën e çuam në Gjykatë Kushtetuese për t’i hequr mandatin asgjë nuk u bë. Kemi rastin e ‘Manastiri Resort ku përfitues janë të afërt të ish ministrit Damian Gjiknuri dhe kjo zonë u hoq dhe nga zona e mbrojtur.  Kemi rastin e aktorit të humorit që është antar i PS në Këshillin Bashkiak…” tregon deputeti Agron Shehaj.

Deputetët e opozitës e kanë kundërshtuar shtyrjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, ndërsa mbetet për të parë nëse do të vazhdojnë deri në fund betejën për ta dërguar këtë nisëm në Gjykatën Kushtetuese, jo vetëm për shkeljen e parimit të barazisë dhe të drejtës së pronës, të cilën në të shkuarën kjo gjykatë e ka konsideruar legjitime, por për të dërguar raporte të efekteve të ligjit dhe fuqinë paravepruese të tij që në janar të këtij viti dhe pse shtyrja u miratua më 4 mars të këtij viti.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy