Trajtimi i projekteve në zonat bregdetare është rikthyer në vëmendje pas deklaratave të avokatit Ervin Karanxha, i cili në MCN Live ngriti shqetësime mbi mungesën e transparencës, verifikimin e grupeve të interesit dhe mënyrën si trajtohen projektet nga institucionet dhe prokuroria e posaçme.
Ervin Karanxha theksoi se çdo ndryshim apo ndërhyrje në zona të mbrojtura kërkon studime të mirëfillta dhe konsensus mbi ndikimin në mjedis.
Studimi është detyrë e specialistëve dhe madje edhe ndryshimet duan konsensus për të parë çfarë ndikimi kanë në mjedis. Ligjet specifike kërkojnë studime,” u shpreh ai, duke shtuar se proceset nuk mund të kalojnë pa verifikime të plota institucionale.
Duke folur për rolin e hetimit dhe institucioneve të drejtësisë, Karanxha u ndal te standardet që duhet të ndjekë SPAK, duke theksuar se hetimi duhet të fokusohet te grupet e interesit dhe provueshmëria e akuzave.
SPAK ka praktikat e veta nga pikëpamja hetimore. Ata duhet të bëjnë hetime se cilat janë grupet e interesit. Provueshmëria është tjetër dhe çfarë thuhet në publik është tjetër, por hetimi është hetim dhe duhet verifikim për grupet e interesit.
Sipas tij, mungesa e verifikimeve dhe e transparencës në praktikat institucionale mund të krijojë standard të dyfishtë në trajtimin e rasteve.
Nëse nuk verifikohet praktika atëherë kemi standard të dyfishtë. Deputetët kanë kod penal dhe duhet të respektojnë ligjin. Ata përfaqësojnë popullin dhe ligji që propozohet, nëse është burim akti korrupsioni, duhet verifikuar.
Ai u ndal edhe te projektet në zonat e mbrojtura, duke i cilësuar ato si pasuri kombëtare dhe jo pronë e grupeve të caktuara interesi.
Ligji për zonat e mbrojtura janë pasuri kombëtare, jo e një grupi të caktuar. Duhet të dëgjohen të gjithë, sepse kur bëhen nga një grup i caktuar dhe me fshehtësi, lënë dyshime për mungesë transparence.
Në deklaratën e tij, Karanxha ngriti gjithashtu shqetësimin për projektet në zonat bregdetare, duke përmendur se në disa raste mungon qartësia mbi ekzistencën dhe natyrën e tyre.
Albania Files bëhet fjalë për disa projekte në zonat bregdetare dhe kur është pyetur Rama për projektin thotë që s’ka projekt. Ne duhet të dimë çfarë projektesh janë bërë, kush i ka bërë, si janë bërë dhe kush është investuar.
Sipas tij, mungesa e informacionit publik dhe e transparencës institucionale krijon hapësirë për dyshime mbi mënyrën e zhvillimit të projekteve.
Ne nuk mund të themi në mënyrë të drejtpërdrejtë që u gjet një projekt-ide, por mungesa e burimeve të financimit dhe bërja e akteve në mënyrë të njëanshme na bën të mendojmë se po flasim kot, ndërsa ata e kanë bërë fakt të kryer.
Në përfundim, avokati theksoi nevojën për hetim të plotë të burimeve financiare dhe përfshirjes së aktorëve të ndryshëm në projektet e zhvillimit.
Duhet hetuar gjithçka, përfshirë paratë që vijnë nga droga dhe korrupsioni. Shqiptarët me të drejtë pyesin çfarë janë këto investime që po vijnë këtu, prandaj çdo dyshim duhet verifikuar.



