Zbardhen detaje nga konflikti i një dite më parë në Durrës, ku si pasojë e një konflikti të momentit 40-vjeçari Ilir Koçilja goditi me thikë, Halil Kokën, 35 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën gjatë transportimit në spital.
Gjatë marrjes në pyetje Koçilja ka treguar se me viktimën ishin fqinj dhe se gjithçka nisi pas një konflikti lidhur me parkimin e makinës dhe gërvishtjen e saj.
Me Halilin ishim fqinj. Nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit.
I kisha thënë disa herë që mos ta linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi.
Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi. S’i ktheva përgjigje. Kur dola ditën tjetër e pashë makinën, po prapë të parkuar aty.
Nga inati, ia gërvishta me thikë në pjesën e derës së pasagjerit dhe ika. Prapë ditën tjetër e kishte lënë aty dhe unë prapë ia gërvishta.
Erdhi më kapi një ditë dhe më tha ti e ke gërvishtur makinën time. Po i thashë “unë ta gërvishta”. Mos e lër më aty i thashë.
Aty debatuam, kush je ti, kush jam unë. Nisi të më kërcënonte. Do të vras, do të fus në bagazh. Unë e kisha thikën me vete.
E pashë që doli nga lagja në rrugë kryesore. Iu afrova dhe i thashë “ti do më marrësh zvarrë mua dhe do më futësh në bagazh”.
Ai më shau. Aty m’u errësuan sytë dhe e qëllova me thikë. Më pas u largova dhe u fsheha për disa orë te lagja 11.00 deri sa më kapët.
Nuk e dija se kishte vdekur. Mendova se e plagosa. Nuk kam asnjë konflikt tjetër me atë.
As i kisha borxh para dhe as më kishte. Me vjen shumë keq për atë që ndodhi, jam penduar.
Po konfliktin e nisi Halili.



