Sipas aktit normative të qeverisë 2,2 milionë euro do të shkojnë për mbështetjen e sportit të padelit në vend. Ish-zv.ministri i Sporteve Artan Shyti duke folur në “Mcn Informacion” e konsideroi këtë jo normale. Shyti vuri në dukje se kaq para nuk i marrin së bashku 30 federata në vend. Ai theksoi se këto para për Padelin akordohen në një kohë kur sportet tradicionale janë duke vdekur në vend.
"Në një realitet që s’e dimë a është Federatë Padeli, të dëgjosh që qeveria jep 2,2 milionë euro, duke marrë parasysh që 30 federata i marrin kaq para, t’i marrin kaq para federata që s’kanë asnjë aktivitet, s’është normale. S’ka një analizë, s’ka një studim. E vetmja gjë që dëgjuam është që kjo jepet për të forcuar imazhin e Shqipërisë. Ka parametra dhe sporte të tjera, që kanë marrë medalje olimpike, për të forcuar medaljen, si mundja, peshëngritja. Nuk duket se ka një sens logjik. Duket se janë më shumë preferenca personale.
Aktivitet e di gjë ka, ka një lëvizje që ka filluar. Është një sport me zhvillim jo të vogël në Perëndim, është alternativë ndaj tenisit, por s’mjaftojnë këto për të financuar në këto nivele. Ose të thuhet për çfarë financohet?! Nuk më duket e njëjta gjë si Rrethi i Italisë. Është jo normale që sportet tradicionale që janë duke vdekur, atletika, mundja, volejbolli, basketbolli. Futbolli duhet të shikohet me vëmendje maksimale. S’kam dëgjuar të thuhet u organizua kampionati kombëtar i Padëllit. Nga kjo mungesë informacioni dhe të dëgjosh si lajm të parë që merren 2,2 milionë euro…! "
Shyti u shpreh se bastet janë një bast i humbur, duke shtuar se nuk e kishte menduar se do kalonte kjo kohë pa u rifilluar dhe jemi në shkelje të ligjit.
“Ligji i sponsorizimit është pozitiv, është pak jashtë nocioneve të sponsorizimit, por duhet të futet në fuqi sa më shpejt. Bastet janë një bast i humbur. S’e kisha menduar se do kalonte gjithë kjo kohë pa u rifilluar. Jemi në shkelje të ligjit, s’e di sa normale është kjo. E njëjta strukturë politike që miraton një ligj, pastaj nuk e zbaton atë, më duket jo normale”.



