Masat për Covid-19, Komisioneri: Të dhënat personale mund të përdoren përgjatë situatës së pandemisë

Masat për Covid-19, Komisioneri: Të dhënat personale mund të përdoren përgjatë situatës së pandemisë

Situata e krijuar nga masat kufizuese për parandalimin e koronavirusit ka ngritur shqetësimin e përdorimit të të dhënave personale. Përpunimi i të dhënave personale në situatën aktuale prek sektorë si: punësimi, telekomunikacioni, shëndetësia dhe arsimi. Kjo ka bërë që Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të lëshojë disa udhëzime lidhur me atë që parashikon ligji në raste të tilla.

Në kushtet kur një numër institucionesh dhe biznesesh vijojnë punën, ndërsa të tjera i angazhojnë punonjësit nga shtëpia, këta të fundit janë subjekt i monitorimit në kuadër të masave parandaluese kundër Covid-19.

Në rastin e parë, ata janë subjekt i kontrollit të vazhdueshëm në lidhje me konstatimin në kohë të simptomave eventuale të COVID-19, si dhe monitorimit me sistemet e video survejimit lidhur me respektimin e masave higjeno-sanitare; ndërsa në rastin e dytë, punëmarrësit e angazhuar nëpërmjet punës në shtëpi apo telepunës, aksesojnë platformat e punëdhënësve nëpërmjet rrjeteve private virtuale (VPN), ose përdorin kanale private komunikimi (si adresat elektronike personale).

Në këto rrethana, Zyra e Komisionerit sqaron se për qëllime të masave kundër COVID-19, parimisht, punëdhënësit mund të përpunojnë të dhëna personale të punëmarrësve (siç janë të dhënat e përftuara nga monitorimi i shtuar i shëndetit të tyre), në sasi dhe cilësi që – në mënyrë të arsyeshme – tejkalojnë përpunimin e zakonshëm të të dhënave në fjalë në kushte normale pune. Përpunimi përfshin jo vetëm mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave të përpunuara lidhur me shëndetin, por edhe transmetimin e tyre tek organet ligjzbatuese të ngarkuara në luftën kundër COVID-19, përfshirë, por pa u kufizuar, organet e autorizuara me ligj për kryerjen e survejancës epidemiologjike (siç parashikohet nga legjislacioni në fushën e parandalimit të sëmundjeve infektive).

Ndërsa sa i takon punës në distancë, Komisioneri sugjeron masa që garantojnë ruajtjen e konfidenciatitetit të punonjësve.  

“Përdorimi i rrjeteve private virtuale (VPN), si dhe kanaleve të tjera private të komunikimit, për qëllime të mundësimit punës në shtëpi ose telepunës, si dhe përdorimi i sistemeve të video survejimit për monitorimin e respektimit të rregullave higjeno-sanitare, krahas dispozitave të sipërpërmendura, duhet të shoqërohet edhe me masa tekniko-organizative dhe rregulla strikte që të mund të sigurohet pacënueshmëria dhe konfidencialiteti i të dhënave, në përputhje me nenet 27 dhe 28 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në udhëzim.

Lidhur me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave shëndetësore në kuadër të survejancës epidemiologjike, Zyra e Komisionerit vlerëson se në kushtet aktuale, organet e ngarkuara me marrjen e masave janë ligjërisht të autorizuara t’i përpunojnë të dhënat personale dhe, veçanërisht, ato që lidhen me shëndetin e individëve.

Përpunimi në fjalë përfshin, ndër të tjera, mbledhjen e të dhënave të nevojshme në lidhje me realizimin e survejancës epidemiologjike, ruajtjen e këtyre të dhënave në përputhje afatet ligjore të zbatueshme, shkëmbimin dhe transmetimin e tyre midis organeve në fjalë dhe kontrolluesve të tjerë publikë e privatë etj”, thuhet në udhëzimin e Komisionerit, i cili sheh si të arsyeshëm edhe transferimin ndërkombëtar të këtyre të dhënave, me kushtin që të jenë në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ndërsa lidhur me mësimin online, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave vlerëson se “është jashtëzakonisht e rëndësishme të shmanget përpunimi i të dhënave personale në tejkalim të sasisë dhe/ose cilësisë së nevojshme për të arritur qëllimin e sigurimit të vazhdimësisë arsimore”.

Duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë te fëmijët dhe rreziku i ekspozimit të tyre online, Zyra e Komisionerit rekomandon fuqimisht marrjen e miratimit të prindit ose kujdestarit ligjor të fëmijës, në lidhje përpunimin e të dhënave në kontekstin e mësimdhënies online.

Në një udhëzim të mëparshëm, që mban datën 20 mars 2020, Zyra e Komisionerit njeh nevojën për përpunimin e të dhënave personale të subjekteve të të dhënave, të tilla si, por pa u kufizuar, emri, adresa, vendi i punës, detajet e udhëtimit, imazhet e regjistruara, etj. 

"Më tej, përpunimi i të dhënave personale, të subjekteve përkatëse të të dhënave, mund të zgjasë vetëm për aq kohë sa ekziston qëllimi i përpunimit, me përjashtim të rasteve kur ka një parashikim ligjor specifik që përcakton përpunimin për një periudhë më të gjatë. Pra, për aq kohë sa paraqitet e nevojshme për zhdukjen e virusit COVID-19 dhe për rehabilitimin e pasojave të këtij virusi nga dhe për çdo subjekt të dhënash. Për rrjedhojë, me zhdukjen e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, çdo kontrollues (përshirë këtu institucionet ligjzbatuese) është i detyruar të fshijë/shkatërrojë të dhënat personale të përpunuara në këtë kuadër", thuhet në udhëzim.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy