Ish-kandidati për deputet i PD Aulon Kalaja dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e Kodit Zgjedhor në nenet që nuk legjitimojnë kandidatët për t’u ankuar kundër procesit zgjedhor. Duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv Kalaja thekson se këtë çështje do ta çojë deri në Gjykatën e Strasburgut, duke u bazuar në faktin që Shqipëria është pjesë e Këshillit të Europës dhe që sipas tij Kodi Zgjedhor është anti-kushtetues. Kalaja shprehet se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal në zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK duhet të hapë videot e KQZ, që sipas tij e vërtetojnë këtë pretendim.
“Në Kushtetuese kam shkuar që ta detyrojë KQZ-në që të më legjitimojë mua. Kam marrë praktikat më të mira europianë dhe ia kam referuar Gjykatës Kushtetuese. Praktika e Gjykatës së Strasburgut ka qenë e tillë, në shtete si Bullgaria, Rumania, Serbia, i ka dhënë të drejtë kandidatit. Shqipëria është në Këshillin e Europës, ku ekziston një rezolutë që quhet Kodi i Sjelljes së Mirë në Zgjedhje që thotë: Çdo subjekt, kandidat, zgjedhës, ka të drejtë ta kontestojë rezultatin zgjedhor.
Kodi në Shqipëri thotë që vetëm subjekti ka të drejtë të kontestojë. Ky Kod është anti-kushtetues. Në një nga nenet e Kushtetues thuhet që ‘në rast se të drejtat e qytetarit shkelen, ka të drejtë të shkojë në gjykatë’. Këtë kam bërë unë, ndërkohë që gjykata s’ma njeh. Gjykata e Strasburgut thotë: shteti duhet të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme t’i garantojë kandidatit kontestimin e tyre. Nga të gjitha anët fut ujë. Në Kolegj është marrë vendim 4:1. Është një zonjë që ka bërë interpretim të saktë të konventave.
Ndërkohë që të tjerët kanë zbatuar një Kod Zgjedhor është anti-kushtetues në dy pika. Në rast se këta s’do bëjnë drejtësi do shkojë në Gjykatën e Strasburgut. Iu drejtova SPAK-ut dhe i thashë që këtu kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal dhe kërkoj hapjen e të gjitha kutive. Provat i kam dorëzuar në SPAK. Mjafton të merren procesverbalet e 11 majit dhe të krahasohen me ato të datës 4 korrik. A ka diskordancë? Sigurisht që ka.
Kam marrë në KQZ të gjitha videot kur fleta del për herë të parë në ekran dhe si është tjetërsuar në momentin e dytë. Ia kam shpjeguar prokurorit skemën. Prandaj kam kërkuar hapjen e videove, jo të kutive. Videot tregojnë skemën e vërtetë, por mesa duket s’ka vullnet për një gjë të tillë. Në SPAK kam kallëzuar KAS-in për shpërdorim detyre. Ligji thotë që nëse gjenden parregullësi në një kuti duhet të hapen të gjitha të tjerat".
Kalaja tha se është i shqetësuar për largimin e anëtarëve të Kryesisë nga PD-ja te PS-ja. Ai shtoi se "ka informacion që do ikin prapë njerëz të tjerë sidomos nëpër rrethe".



