
Ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili tha përmes një lidhje “Skype” me studion e emisionit “MCN Economy” se e ashtuquajtura shëndetësi falas dhe shpenzimet abuzive të koncesioneve kanë tronditur të gjithë ekuilibrat e sistemit shëndetësor dhe duke i lënë të gjithë barrën qytetarëve.
Duke vijuar më tej, Vasili theksoi se kapacitetet spitalore shtetërore dhe private janë afër me njëra-tjetrën dhe se kjo situatë ka ardhur për shkak të mungesës së shërbimeve në shtet.
Situata në Shqipëri natyrshëm ka pasur këtë trend sepse sektori publik, shëndetësia që financohet dhe administrohet nga qeveria ka vuajtur një financim dhe administrim të shpërndarë keq që ka bërë që të çekuilibrohen shërbimet, shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor dhe duke bërë gjithnjë e më shumë që ndihma të kërkohet jashtë sistemit publik. Dhe kudo që ajo kërkohet është shëndetësi me kosto të larta. Një nga momentet kyç ka qenë qasja tërësisht e gabuar lidhur me mënyrën e konceptimit të sistemit shëndetësor që kur u proklamua, e ashtuquajtura shëndetësi falas që tronditi rëndë ekuilibrat e sistemit të cilat ishin vendosur me shumë vështirësi se sektori i shëndetësisë ka qenë gjithmonë i nënfinacuar.
Në momentin që dy faktorë themelorë, nga njëra anë e ashtuquajtura shëndetësia falas, çrregullimi dhe shthurja e gjithë këtij sistemi dhe shpenzimet abuzive që kishin të bënin me koncesionet bënë që ekuilibrat e sistemit të tronditen dhe e gjithë kjo të bjerë mbi kurrizin e qytetarëve. Kaosi, mbipopullimi i spitaleve dhe probleme të tjera filluan të akumuloheshin dhe pesha ra e gjitha mbi individin. Ndihma mjekësore kërkohet te privatët dhe është fakt që kapacitet e instaluara spitalore në Tiranë, pra publik-privat janë shumë afër njëri-tjetrit. Janë afër në kapacitete. Një gjë që është e pamundur ta gjeni në vendet e tjera. Pesha e sistemit publik ka qenë shumë e madhe. Mungesa e shërbimeve bën që në pamundësi për t’i marrë shërbimet shpejt dhe në kohë të shkojnë te privati, ku kushtojnë.
Nga një raport që ka qenë 1 me 10 apo 1 me 12, tashmë jemi me një raport të krahasueshëm, shumë afër me njëri-tjetrin.
Asnjë qytetar nuk shkon më dëshirë në privat, askush nuk është i lumtur të shpenzojë, por pamundësia, nevoja për të marrë diagnozën e shpejtë, i detyron. Për të marrë ndihmë në privat një pjesë futen dhe në borxhe.
Diferencat janë me herë. Nëse një ndërhyrje në publik kostoja shkon te 1100-1500 euro në privat do të jetë 8 mijë ose 9 mijë. Raporti është me disa herë më lart.
Më tej, Vasili tha se janë zhdukur nga tregu barnat cilësore.
Për fushën e barnave, elementi kryesor është varfërimi i madh i tregut. Në fund të 2013 kanë ekzistuar në treg rreth 4300 lloje barnash sot kemi rreth 1800. Dhe ato që janë zhdukur nga tregu janë barnat, kanë humbur barnat cilësore, ato që vijnë nga kompani brand-e dhe kanë kualitet ndryshe.



