Policia e Tiranës del me deklaratë lidhur me pasuritë e sekuestruara të të ashtuquajtur “bosi i farmaceutikës”, Ilir Shehu.
“Darrk Capital” u kodua një operacion i policisë së Tiranës gjatë të cilit u sekuestruan pasuri me vlerë mbi 10 milionë euro, në kuadër të një hetimi pasuror ndaj një personi i cili njihej me dy emra, i dyshuar për veprimtari të ndryshme kriminale.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive të shtetasit Iliri Shehu alias Ilir Pasholli, 51 vjeç, dhe të personave/subjekteve të lidhura me të, me vlerë mbi 10 milionë euro.
Konkretisht u sekuestruan 14 pasuri të paluajtshme; 6 pasuri të paluajtshme në emër të bashkëshortes së tij, shtetases H. Shehu; 6 subjekte tregtare, përfshirë biznese që ushtrojnë aktivitet në sektorin farmaceutik dhe 8 automjete.
Pasuritë e sekuestruara do të kalojnë në administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi Ilir Shehu alias Ilir Pasholli është përfshirë ndër vite në veprimtari të ndryshme kriminale, si trafikimi i narkotikëve, shfrytëzimi i prostitucionit, rrëmbimi dhe heqja e paligjshme të lirisë, përfitimi i mallrave të vjedhura, etj.
Shehu rezulton të ketë në pronësi katër kompanitë farmaceutike “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma”.
