Ashtu siç ishte paralajmëruar, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri doli para mediave në lidhje me akuzat e prokurorisë ndaj tij. Tahiri u shfaq para mediave me një dokument, të cilin tha se e ka marrë nga Prokuroria e Katanias në Itali, e cila vërteton se ndaj tij nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë procedim penal.
Pjesë nga fjala e Tahirit
Nuk është e re që ndaj meje prej ditësh po bëhet paralelisht gjyqi juridik që ka për qëllim arrestimin tim. Nga ana tjetër është gjyqi politik. Nuk kam dëshirë të përfshihem në asnjë debat publik apo politik. Nëse politikës i ka ardhur rasti që llumin e 25 viteve ta hedhë mbi mua, atyre që nuk kanë kursyer vrasjet për të mbuluar vjedhjet, u them që mos kini merak, do ta kaloj edhe këtë.
Nëse ka një dritare sado të vogël prej të cilës mund të dalë e vërteta për njerëzit, mua do të më gjeni aty dhe jo me fjalë por vetëm me prova. Për mua sot ka rëndësi vetëm e vërteta dhe drejta e shnjtë e ime. Për çmimin e të vërtetës jam i gatshëm të jap gjithçka jam. Nuk dua të ma falë njeri të vërtetën, dua ta gjej vetë pa mbështetjen e askujt.
Brenda 48 orëve nga Prokuroria e Katanias sigurova këtë dokument që thotë se sa i përket Saimir Tahirit nuk rezulton procedim penal nga ky institucion. Pra, kjo prokurori që ka hetuar këtë grupin ku thuhet se bëj pjesë unë, nuk ka gjetur qoftë edhe një lidhje të largët të tij me mua për të nisur një procedim penal ndaj meje. Si ka mundësi që prokuroria jonë brenda 48 orësh, pa prova, kërkon arrestimin tim?



