Gentian Trenova, ish-prokuror tha në studion e MCN Informacion se nëse Veliaj do e çojë në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij, gjykata do të hyjë përtej interpretimit të ligjit dhe se do të shohë frymën e ligjit dhe interesin publik.
Duhet bërë një lloj krahasimi mes interesit publik dhe të drejtës kushtetuese të një personi të zgjedhur nga populli për të ushtruar mandatin që ka marrë nga vullneti i popullit. Dhe Veliaj ka abuzuar me të drejtën e tij. Duke qenë se ke pamundësi për të ushtruar detyrën si kryetar bashkie duhet të kishte dhënë dorëheqjen dhe të vazhdonte procedurat ligjore të përballjes me drejtësinë dhe nuk duhet të përdorte politikisht pozicionin e kryetarit të bashkisë për t’i mbrojtur dhe të lërë kryeqytetin pa një drejtim.
Diskutimi do të ngelë në GJK dhe ajo do të japë shpjegim ezaurues nëse arresti do të konsiderohet mungesë e arsyeshme apo e paarsyeshme e kryebashkiakut. GJK do të hyjë përtej interpretimit të ligjit, por do shohë dhe frymën e ligjit dhe interesin publik.
I pyetur për shkarkimin e zëvendësministrit të Brendshëm Andi Mahila, Trenova tha:
Duhet të jetë konflikt i brendshëm mes ministres së re dhe stafit që ka gjetur atje. Në Shqipëri ndodh kur vjen ministër i ri kërkon të ndryshojë komplet strukturën e brendshme. Kjo është e metë e madhe që ka shteti shqiptar, pozicionet e rëndësishme personalizohen.



