Gazetari Mariglen Kume tha në Mcn Live se brenda PD-së ka një qejfmbetje nga deputetët me Salianjin lidhur me firmat për Endri Shabanin Avokat Populli, ndërkohë që ai ka mbështetje nga degët dhe ish-deputetë. Sipas Kumes deri më tani Salianji ka luftuar për nr.2 në PD, dhe nëse do të ketë mbështetje në takime, mund të imponohet në parti sikurse bëri Bardhi. Megjithatë gazetari thekson që deri më tani Berisha dhe Noka janë në një linjë.
“Problemi i tyre këtu është që kanë kaluar në personale, për lidhjet e tyre me botën e krimit. Është për të ardhur keq që ky debat bëhet në opozitë, ndërkohë që ajo duhet të ishte qelibarja, e kundërta e pushtetit. Kur ky debat ndodh mes dy eksponentëve të rëndësishëm në PD, Sekretarit të përgjithshëm, nr.2 dhe tjetri një person që ka bërë karrierë politike, matet me vota numra, dhe ka qenë i suksesshëm në këtë aspekt.
Nga z.Noka lëvizja e Salianjit është parë si tentativë, furtunë në gotë, për t’i marrë nr.2. Nëse bën përpjekje për ta rigjeneruar PD-në, duhet ta bësh për kreun, jo për nr.2. Salianji bëri burg politik për PD-në. 20 për qind mund të ketë qenë egoja për karrierë, por pjesa tjetër ishte çështje politike. Akuzat mes Nokës dhe Salianjt s’kanë qenë politike, por që i vendos me përgjegjësi penale. E shoh që fatet e tyre janë të ndara.
Ka akoma mundësi që mos jetë kjo ndarja e madhe. Nëse Salianji do vazhdojë takimet e tij dhe do të ketë mbështetje, do t’i imponohet, sepse edhe Gaz Bardhi kështu iu imponua. E kanë akoma frikën e Berishës. Është lider i padiskutuar brenda asaj partie, por midis shumë atyre që janë poshtë Salianji mund të ketë kuota më të mira. Ka mbështetje nga degët dhe ish-deputetë. Ka luajtur me të pakënaqur.
Nëse e vazhdon, në pranverë mund ta shohim të afrohet në PD dhe të ketë një lloj roli. Noka dhe Berisha më duket se janë të unifikuar dhe këtu bëhet e vështirë situata. Salianji ka bërë edhe një gabim, fakti që ka lobuar për Endri Shabanin. Ka bërë disa armiq brenda PD-së Salianji. Kjo lëvizje i ka bërë dyshues, të tërhiqen dhe të jenë qejfmbetur”.
Kume thotë se Berisha ka kërkuar një tjetër protestë kombëtare brenda këtij viti, ndërsa shton se tubimi i 22 dhjetorit kaloi pritshmëritë e vet demokratëve, s’ishin përgatitur për atë numër qytetarësh.



