Kreu i opozitës Lulzim Basha zhvilloi ditën e sotme një takim me prodhuesit fasonë, ndërsa ka parashtruar reformat që ai do të bëjë në këtë sektor pasi të vijë në pushtet. Basha theksoi se qeveria e tij do të ketë fokusin tek disa nevoja kryesore që kanë fasonët.
Këto reforma sipas tij do të bëjnë që tregu i fasonëve të ringrihet brenda 12 deri në 18 muaj. Ai tha se do të subvencionohet energjia elektrike për prodhuesit fasonë, gjë e cila nuk është bërë deri më tani sipas tij. Sa i përket goditjeve nga kursi i këmbimit, Basha tha se do të ngrihet një fond garancie për fasonët, gjë e cila do të shmangë ndikimin e fortë të ulje-ngritjeve të kursit të këmbimit tek ky treg.
Një pikë e tretë që u ndal kryedemokrati është rimbursimi i TVSH-së për bizneset, gjë që sipas tij deri më tani është kthyer në një makth për gjithkënd që ka një aktivitet ekonomik në Shqipëri.
“Këto s’janë premtime por pjesë e një plani konkret. Janë angazhime për të ndihmuar biznesin dhe biznesi të ndihmojë të punësuarit duke rritur standardin e jetës së tyre”, tha Basha.



