Aktivisti shqiptar në Greqi, Etmond Guri, për kërkesën e ndjesës nga Kryeministri grek, lidhur me përplasjen e dy trenave në tragjedinë e Tempit, në Greqi dhe a ishte e mjaftueshëm vetëm dorëheqja e ministrit të Transporteve, thotë se zemërata e popullit pas 56 viktimave ka shkuar si kurrë më parë.
Duke folur në një lidhje për studion e lajmeve të MCN Tv, ai e cilësoi ngjarjen si shkak për fillimin e shumë revoltave të dhunshme në disa raste siç qenë dhe sot në Athinë dhe Selanik, ku protestuesit u përleshën me forcat e policisë.
Dobësia, inekzistenca totale e shtetit në hekurudha, siguria, parametrat, gjithçka, dëmi dhe korrupsioni, bëri që të ndodhë një tragjedi kaq e madhe.
Askush nuk mbajti përgjegjësinë, indiferentizmi total si nga kompanitë, bëri që Kryeministri Mitsotakis të dalë dhe kërkojë ndjesë publike, kjo nuk mjaftoi që të qetësohen gjakrat.
Greqia është një nga popujt europianë që e ka impulsivitetin e protestave, i ka fituar me mund e protesta të drejtat e tij.
Në këtë rast duke ndjerë trysninë e madhe të shtetit se edhe pse u lançua se do të goditen oligarkët, në realitet u godit klasa punëtore dhe shtresa e mesme që gati u zhduk në Greqi.
Në rastin konkret kemi një zemërim deri në pikën që s’mban më! Prandaj sloganet kryesore janë: Boll më! Mjaft me këtë klasë politike të korruptuar! Jepni dorëheqjen, se janë të gjitha njësoj.
Janë me qindra miliona euro të investuara nga BE dhe këto para kanë humbur rrugën.
Për këtë arsye Bashkimi Europian dy javë më parë ka denoncuar në Gjykatën Europiane shtetin grek për mos zbatimin e projekteve, pikërisht për çështjen e hekurudhave.
Ishte një tip paralajmërimi për ngjarjen tragjike.
Ndërkohë vetë sindikatat dhe specialistët e fushës kishin paralajmëruar qeverinë për ndodhjen e aksidenteve tragjike mbasi mungonte totalisht fryma e përgjegjësisë për të futur hekurudhën greke në një linjë ndërkombëtare të sigurisë.



