
Eksperti i ekonomisë Erion Muça deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se gati 80% e të rinjve punojnë jashtë profilit të studimit të tyre, ose në fusha të ngjashme.
Duke vijuar shpjegimin e tij, Muça tha se në Shqipëri vijon të ekzistojë mospërputhshmëria mes kërkesës dhe ofertës duke ofruar kështu një informacion të pasinkronizuar.
Sipas Muçës në Shqipëri nuk funksionon strategjia e punësimit dhe agjencia e informimit, elementë që do stabilizonin disi situatën.
Kjo situatë vjen nga fakti që historikisht kemi pasur mospërputhje mes ofertës dhe kërkesës, mes arsimit dhe asaj që realisht kërkon tregu i vendit për pozicione dhe zanate. Kjo mospërputhje ka qenë historikisht duke krijuar një hendek. 80% e të rinjve punojnë jashtë profilit ose në një profil të afërm, ose të ngjashëm.
Ka disa problematika që kjo situatë vazhdon, e para strategjia e punësimit nuk shërben si manual orientimi për ata që kërkojnë një punë dhe së dyti mungon një agjenci informimi. Së treti në Shqipëri nuk kemi inventarizim të nevojave për punë që të bëjë ofertën kombëtare. Ne nuk dimë çfarë kërkohet. Ky informacion është i pa sinkronizuar dhe rrit konfuzionin e personave që janë në kërkim të një pune.
Call Center ka pasur një rënie jo vetëm të potencialit të punësimit, por edhe një kufizim të kontratave në dispozicion. Shqipëria ka qenë një vend ku Call Center u hap në mënyrë të shpejte, por duke u hapur kështu u rrit dhe abuzimi. Puna në Call center po shihet si mundësi pune part-time për ata që janë në shkollë që më pas të gjejnë një punë për profilin që po studiojnë. Shumë të rinj po preferojnë të marrin iniciative start up-esh dhe po arrijnë të integrohen në tregun e punës.
Më tej, Muça tha se niveli i mosbesimit tek zyrat e punës është i lartë. I ndalur dhe tek punësimit në administratë eksperti tha se në prag zgjedhjesh numri i të punësuarve në strukturat publike ka tendencë të rritet.
Niveli i mosbesimit tek zyrat e punës është i lartë. Roli i zyrave të ndërmjetësimit është zbehur dhe kjo ka ardhur si pasojë e abuzimeve.
Në shkolla të mesme duhet të futet këshillimi karrierës, në fund të gjimnazit të rinjtë duhet ta kenë zbuluar talentin e tyre.
2200 persona të punësuar në administratë dhe ky numër para zgjedhjeve ka tendencën të rritet, kryesisht i trajtuar me kontrata afatshkurtra. Jemi para një paradoksi kur po kthejmë shërbimet online, duhet të reduktohej numri i të punësuarve, por po ndodh e kundërta.



