
Na ndan vetëm një javë nga 13 qershori, dita kur anëtarësia e Partisë Demokratike do të vendosë për lidershipin e ri. Kryetarin aktual apo një nga tre rivalët e Lulzim Bashës, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.
Lulzim Basha u kërkon demokratëve besimin për ta udhëhequr edhe njëherë Partinë demokratike, por pa shpalosur një program konkret mbi vizionin e tij për vazhdimësinë e partisë më të madhe opozitare në vend.
Tre rivalët e Bashës kanë si pikë të përbashkët të platformave të tyre sanksionimin në statut të dorëheqjes së kryetarit që humbet zgjedhjet.
Në platformat e tyre, ata theksojnë nevojën për reformimin dhe hapjen e partisë, teksa shikojnë me prioritet edhe fuqizimin e anëtarësisë.
Fatbardh Kadilli ka përfshirë në propozimet e tij, ngritjen e këshillit të të urtëve, risi për PD, po jo për politikën, pasi për herë të parë këtë ide, e zbatoi Edi Rama në PS, në 2012.
Ndërsa Edit Harxhi mban në fokus decentralizimin dhe autonominë e degëve të partisë në të gjithë vendin duke qënë e vetmja që kërkon të vijojë vizionin e demoratëve mbi idealet e vitit 1990.
Nga ana tjetër, kandidati surprizë i kësaj gare, Agron Shehaj, kërkon ngritjen e një sistemi elektronik për shprehjen e mendimit dhe votimit nga anëtarësia.



