
Më pak se 24 orë pas mbylljes së kutive të votimit, vëzhguesit e OSBE/ODIHR dolën me raportin paraprak të zgjedhjeve të 25 prillit në Shqipëri. Koordinatori special dhe drejtuesi afatshkurtër i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR në Tiranë, Azay Guliyev, tha se fushata elektorale u karakterizua nga fokusimi te liderët dhe jo te programet.
“KQZ operoi në mënyrë transparente dhe ka gëzuar besimin e të gjithë aktorëve. Sa i përket fushatës, të gjitha subjektet zgjedhore bënë fushatë në mënyrë të lirë, pavarësisht kufizimeve të Covid-it. Megjithatë, fushata nuk pati dinamikën e duhur, sepse mesazhet e fokusuan te liderët e partive, dhe jo te programet. Pretendimet për shit-blerjen e votës ishin në fokus të fushatës, duke treguar se kjo është akoma problem”, tha ai.



