Ndërsa miliona vende pune parashikohet të humbasin këtë vit si rezultat i krizës së koronavirusit, të mëdhenjtë e teknologjisë po e shohin pasurinë e tyre të rritet në mënyrë marramendëse. Ata po pasurohen edhe më shpejt pasi pandemia ka bërë që shumë aktivitete të zhvendosen në internet.
Pasuria e miliarderëve të teknologjisë në indeksin e Bloomberg (një renditje e 500 njerëzve më të pasur në botë) pothuajse është dyfishuar që nga viti 2016, nga 751 miliardë dollarë në 1.4 trilionë dollarë sot. Kjo normë është më e shpejtë se rritja që ka ndodhur në çdo sektor tjetër.
Shtatë nga 10 njerëzit më të pasur në botë i përkasin sektorit të teknologjisë, me një vlerë neto në total prej 666 miliardë dollarë, duke arritur 147 miliardë dollarë këtë vit. Nga 10 kryesuesit, vetëm miliarderët që nuk kanë lidhje me teknologjinë kanë humbur para këtë vit – miliarderi i luksit Bernard Arnault dhe Warren Buffett i Berkshire Hathaway.
Fituesit e mëdhenj deri më tani përfshijnë Elon Musk, vlera neto e të cilit është rritur më shumë se dyfish në 69,7 miliardë dollarë për shkak të rritjes së aksioneve të Tesla. Njeriu më i pasur në botë, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, u pasurua me 63.6 miliardë dollarë. Pasuria e tij arritimbi 200 miliardë dollarë. Një tjetër shef ekzekutiv, Mark Zuckerberg i Facebook-ut, gëzoi një rritje neto prej 9.1 miliardë dollarësh.
"Ka ndodhur një zhvendosje dramatike e ekonomisë nga tullat dhe llaçi, te ekonomia online", i tha Bloomberg-ut një profesor financash në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Chicago Booth, Luigi Zingales.
"Ndoshta e njëjta gjë do të kishte ndodhur përgjatë një periudhe më të gjatë kohore. Tani po ndodh brenda javëve ajo që do të ndodhta brenda viteve", tha ai.
Statistikat tregojnë se pesë nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë amerikane (Apple, Amazon, Alphabet, Facebook dhe Microsoft) vlerësohen se rreth 30 për qind e produktit të brendshëm bruto të SHBA. Kjo është pothuajse dyfishi i atyre që kishin në fund të vitit 2018.



