Anëtarja e PD në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, Bianka Çopja, tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se rritja e tarifave nga bashkia është e pajustifikuar, pasi shërbimet janë në ulje dhe thjesht do rëndohen xhepat e qytetarëve. Çopja vuri në dukje se Elbasani është qyteti më i ndotur në Shqipëri, që tanimë mbetjet do t’i transferojë në Shkodër, çka sipas saj nuk është aspak zgjidhja e duhur.
“Jemi kundër sepse flasim për rritje tarifave deri në 24 për qind. Flasim për rritje, kur shërbimet janë në ulje. Kjo tregon paaftësinë e menaxhimit nga bashkia. Siç e kaluan dje paketën fiskale, ashtu bëjnë edhe me buxhetin. Flasim për rritje të tarifave të ndriçimit dhe pastrimit. Por duhet të ofrohen njëherë shërbimet dhe pastaj të bëhen rritjet. Patjetër që jemi kundër. Prek direkt buxhetin e çdo familje të Elbasanit. Rritet taksa e pastrimit kur kemi kosha të tejmbushur, dhe taksa e ndriçimit kur kemi ndriçim jo të duhur dhe defekte që ndodhin gjithmonë. Nuk është aspak e justifikueshme kjo rritje.
Buxheti përfshin 70 për qind vetëm për paga administrate! Ne mbledhim taksa dhe detyrime vetëm për të paguar administratën e fryrë dhe jo për shërbime. Elbasani është qyteti më i ndotur në Shqipëri. Kjo rritje s’do rregullojë asgjë, vetëm do rëndojë xhepat e qytetarëve. Hetimi për inceneratorin është duke vijuar dhe shpresojë që gjërat të shkojnë ku duhet, sepse ka ndodhur një vjedhje e madhe. Momentalisht mbetjet do mblidhen dhe do transferohen në Shkodër. Nuk është aspak zgjidhje e duhur. Përveç rritjes së kostos edhe gjatë rrugës ndotet çdo gjë tjetër”.



