Kryeministri Rama në komunikimin e përjavshëm komentoi qëndrimin e Bashës, që i cilësoi broçkulla deklaratat se vettingu hap negociatat për anëtarësim.
“Të thuash çadra ime është populli, Europa, Amerika dhe të ulërasësh se çdo gjë tjetër përfshirë dhe qëllimet e mira të partnerëve tanë ndërkombëtarë janë, më falni, ”Bullshit”, është njësoj si të kesh hipur në majë të një pallati dhe të vësh alarmin se do hidhesh me kokë po nuk të dhanë çelësat e të gjithë pallatit”, tha ai.
Rama ripërsëriti ftesën drejtuar opozitës për dialog. “Nuk na mbetet asgjë tjetër përveçse ta ftojmë dhe ta riftojmë në rrugën e arsyes dhe dialogut ku mund të biem dakord për çdo propozim realist të saj. Po ashtu ndërkohë të vazhdojmë të komunikojmë për rëndësinë e këtij momenti me njerëzit pa i ndarë në socialistë dhe demokratë. Çdo parti parlamentare apo deputet i veçantë që nuk është gati ta bëjë këtë i tradhton haptas Shqipërinë dhe shqiptarët pa dallim në këtë udhëkryq historik mes të shkuarës dhe së ardhmes”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me kërkesën e PD-së për qeveri teknike, Rama e përjashtoi këtë mundësi duke thënë se qeveria e tij ka një kontratë katërvjeçare me qytetarët, deri me 18 qershor, kur populli do të vendosë kujt do t’ia besojë pushtetin për katër vitet e ardhshme.



