Organizata Politike ka mbyllur fushatën e mbledhjes së nënshkrimeve që synojnë një projektligj për përcaktimin e minimumit jetik.
Aktivistja e Organizatës Politike Mirela Ruko duke folur në MCN Live tha se janë mbledhur 20 mijë nënshkrimet e nevojshme dhe ato pritet t’i dërgohen KQZ-së, dhe mandej Kuvendit. Ruko ftoi qytetarët t’u bashkohen aktivistëve duke theksuar se nisma e çon shoqërinë një hap larg varfërisë.
Kjo fushatë ka zgjatur 57 ditë, 48 kanë qenë ditë terreni. Reagimi ka qenë shumë i mirë. E vetmja gjë që kanë merak është se Kuvendi s’do ta pranojë dhe s’do votojë pro saj, duke ditur llojin e politikanëve që ne kemi. I kemi mbledhur 20 mijë nënshkrimet e nevojshme. Të premten në orën 10 do jemi pranë KQZ. Ftojmë qytetarët të jenë të pranishëm. Presim të thërritemi në komisione parlamentare për të artikuluar pse është i rëndësishëm minimumi jetik dhe si ndikon te qytetarët. Janë mbledhur edhe disa firma rezervë që do jenë të nevojshme nëse do ketë gabime gjatë punës në terren.
Minimumi jetik është shuma e nevojshme e parave që i duhet një qytetari për të plotësuar nevojat bazike. Ne e kemi çuar këtë shumë 200 mijë lekë të vjetra, dhe nën këtë shumë s’mund të ketë asnjë pension, KEMP, bursë studimi. E çon pagën minimale në 400 mijë lekë në muaj, sa është minimum jetik për 4 persona. Nisma e çon shoqërinë një hap larg varfërisë. Është e domosdoshme në kohë të tilla, ku inflacioni ka kaluar në shifra historike për vendin tonë. Për momentin s’është e lejueshme të firmosësh online, prandaj kemi dalë dhe i kemi takuar personalisht, duke u kërkuar dhe ID. Ne jemi bazuar te studimi i Avokatit të Popullit, që ka bërë një studim zyrtar duke llogaritur kaloritë e nevojshme, shpenzimet për ushqimin...Në 2016-ën shifra ka qenë 160, dhe bazuar te inflacioni ka dalë shifra 200 mijë lekë në muaj. Duke përdorur formulat kjo është shuma që del dhe ne i besojmë. Kërkojmë që minimumi jetik të rritet në bazë të inflacionit dhe të jetë pjesë e diskutimeve publike në 3-4 vjet. Para se pr.ligji të shkojë në Kuvend, sepse së pari do vërtetohen nga KQZ nëse firmat janë të vlefshme. Do marrim diskutime publike për pr.ligjin dhe forma përfundimtare është ajo që do dorëzojmë në Kuvend”.
Aktivistja e Organizatës Politike paralajmëroi se nëse nisma s’merr përgjigje pozitive, atëherë mund të organizohet një protestë. Ajo nuk e përjashtoi që grupimi i aktivistëve të artikulohet qoftë edhe në një forcë politike.
Nëse kjo iniciativë nuk merr përgjigje pozitive nga institucionet tona, s’mendoj se do kishte një përgjigje tjetër nga ne që do ishte ndryshe nga protesta. Sigurisht që ne do shkojmë në protestë. Prania e qytetarëve gjatë këtyre etapave është e domosdoshme. Hapat e tjerë duhet të mendohen përtej protestës. Nëse s’ke një Parlament që s’bën ligje për të dalë nga kjo gjendje mjerimi dhe mungese shprese... Ne duhet të artikulohemi qoftë edhe në një forcë politike. Të kemi një forcë politike për të shkuar përpara, nëse Parlamenti s’na dëgjon. Kemi vendosur t’i kushtojmë energji edhe kohë kësaj nisme sepse është A-ja”.



