
Ndërsa zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 po afrohen, partitë politike në Shqipëri kanë hyrë në një fazë të ngjeshur të fushatës elektorale. Megjithatë, sipas analistit Prenc Zogaj, fushata e dy partive të mëdha po zhvillohet nën të njëjtin ritëm të konsumuar, duke krijuar përshtypjen e një lloj “teatri të njohur”.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Zogaj u shpreh se fushata po zhvillohet me të njëjtin narrativ, në thelb, "ta heqim qafe tjetrin", pa ofruar ide të reja apo vizion frymëzues.
Fushata e dy partive të mëdha është e ndërtuar mbi të njëjtin ton: ‘ta heqim qafe’. Është një skenë që e kemi parë disa herë, me të njëjtët protagonistë, të njëjtën ‘kolonë zanore’, të njëjtat grimasa dhe mënyra komunikimi. E njëjta lojë e vjetër, pa asnjë ndryshim domethënës.
Në aspektin politik dhe komunikues, fushata po duket e zbehtë dhe pa energji të re. Edhe sikur të kishim një mandat katërvjeçar pa fushatë, rezultati nuk do të ndryshonte shumë – për shkak të mungesës së alternativave reale dhe protagonizmit të lodhur.
Ky lloj kompromisi mes retorikës dhe mungesës së risisë, qoftë edhe me ndonjë gjenialitet, është kthyer në monoton.



