Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dënoi Rusinë për Ligjin për Agjentët e Huaj dhe mënyrën se si u zbatua ndaj 107 OJQ-ve, mediave dhe individëve të shoqërisë civile.
GJEDNJ vendosi se legjislacioni ekzistues rus “është stigmatizues, mashtrues, arbitrar dhe përdoret në një mënyrë tepër të gjerë dhe të paparashikueshme”.
Theksohet se qëllimi i Moskës, ishte të ndëshkonte dhe frikësonte në vend që t’i përgjigjej një nevoje të supozuar për transparencë ose shqetësime legjitime të sigurisë kombëtare.
Gjykata e Strasburgut vendosi se me ligjin për agjentët e huaj Rusia shkeli të drejtën e lirisë së shprehjes, tubimit dhe organizimit, si dhe atë të respektimit të jetës private, të OJQ-ve, mediave dhe individëve dhe se ata do të duhet të kompensohen me shuma që variojnë nga 5500 deri në 50 mijë euro për dëmet morale të pësuar.
Për sa i përket shkeljes së të drejtës së lirisë së shprehjes dhe të tubimit dhe organizimit, GJEDNJ thekson se përcaktimi si agjentë të huaj “ka penguar ndjeshëm aktivitetet” e OJQ-ve, mediave dhe individëve, duke arritur deri aty sa kufizon pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor dhe organizimin e ngjarjeve publike, dhe se kjo pasohej shpesh me vendosjen e sanksioneve, duke filluar nga gjobat e deri te shpërndarja.
Autoritetet nuk dhanë asnjë provë për të treguar se në 107 rastet e shqyrtuara, subjektet ose individët ishin vërtetë nën kontroll të huaj ose vepronin në interes të një subjekti të huaj.
Nga ana tjetër, për sa i përket cenimit të jetës private, gjyqtarët shprehen se kjo rrjedh nga fakti se etiketimi si agjentë të huaj ka pasur pasoja të rënda në jetën sociale dhe profesionale të kërkuesve dhe në reputacionin e tyre.



