Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë jashtë Kuvendit, ishin në fokus të diskutimit në studion e MCN Informacion. Të ftuarit komentuan tensionet e krijuara gjatë protestës, përdorimin e vezëve ndaj efektivëve të policisë dhe debatet mbi natyrën e lëvizjes qytetare, duke ndarë qëndrime mbi mënyrën se si duhet të vijojë protesta dhe raportin e saj me partitë politike.
Autori i emisionit "Xhadat", Armir Shkurti, u shpreh se protesta është produkt i revoltës qytetare dhe paralajmëroi se çdo përpjekje për ta politizuar apo për ta marrë nën kontroll do të dështojë, pasi sipas tij lëvizja nuk i përket asnjë force politike.
Ka një revoltë dhe një frustrim të protestuesve për një situatë që po zgjat shumë. Kam dëgjuar thirrje në rrjetet sociale dhe nga foltorja e protestës për pjesëmarrje. Pati edhe vezë e domate, por kjo është gjëja më e vogël kur qytetarët ndihen të zhgënjyer nga mënyra se si është qeverisur vendi.
Askush nuk ka fituar ndonjëherë me dhunë ndaj popullit. Kam denoncuar edhe përpjekjet për influencë të Partisë Demokratike mbi protestën, sepse diferenca jonë është se qytetaria duhet ta mundë politikën e vjetër me kulturë dhe jo të bëhet pjesë e saj. Nuk do të doja që gjaku dhe djersa e protestuesve të shkonin dëm.
PD po përpiqet ta çojë protestën drejt degradimit, por unë garantoj se kjo nuk do të ndodhë. Është një frymë qytetare që nuk mund të përvetësohet nga asnjë parti politike. Kushdo që përpiqet ta kapë protestën do të hasë rezistencë. Është e rëndësishme që vendi të mos shkojë drejt një përplasjeje civile dhe të kuptohet mesazhi që po japin qytetarët.
Nga ana tjetër, aktivisti Edviol Kulluri theksoi se organizatorët kanë insistuar që protesta të mbetet paqësore, ndërsa reagimet spontane të disa protestuesve i lidhi me frustrimin e akumuluar ndër vite. Ai ritheksoi gjithashtu se protesta është një lëvizje kundër gjithë klasës politike dhe jo vetëm qeverisë.
Qëndrimi ynë është që ta mbajmë protestën paqësore, por një pjesë e qytetarëve, ndoshta nga frustrimi i këtyre 50 ditëve, duan ta shprehin revoltën edhe përmes formave të tilla. Protesta kishte vezë dhe jo gurë, në fund të fundit është protestë dhe këto janë forma elementare të saj.
Nga ana numerike protesta është gjigante, ka shumë grupe dhe segmente, por të gjithë janë dakord që të jetë qytetare dhe paqësore. Ne kemi thënë që në ditën e parë 'Rama në burg' dhe 'Berisha në burg'.
Nuk duam që deputetët e pseudoopozitës të shkruajnë në rrjetet sociale apo të dalin në televizione duke thënë se mbështesin protestën, sepse protesta është kundër qeverisë aktuale, por edhe kundër pseudoopozitës së Berishës dhe kujtdo tjetër që ka qenë pjesë e këtij establishmenti 32-vjeçar. Ata janë bashkë dhe ne nuk mund të marrim përkrahjen e tyre kur protestojmë edhe kundër tyre. Opozita reale është qytetaria që po proteston në rrugë.
Të dy të ftuarit vlerësuan se protesta duhet të ruajë karakterin e saj qytetar, ndërsa ndanë qëndrime mbi format e reagimit gjatë tubimeve dhe rolin që partitë politike synojnë të kenë në zhvillimet e saj.



