
Ekziston një alarm thatësire në rajonet jugore të Spanjës ku uji tashmë është i racionuar për pothuajse nëntë milionë njerëz.
Kështu raporton El Pais e cila vë në qendër të vëmendjes, veçanërisht zonat më të prekura nga mungesa e ujit: Katalonja dhe Andaluzia, dy nga destinacionet turistike më të njohura pas ishujve të famshëm iberikë.
Në këto dy qarqe janë të paktën 600 bashki të cilat i nënshtrohen racionimit të ujit në orët e para të mëngjesit për shkak të thatësirës jashtëzakonisht të zgjatur.
Bëhet fjalë për rreth 9 milionë spanjollë të cilët tashmë po përballen me temperatura ndaluese dhe furnizime të kufizuara me ujë.
Në provincën e Malagës, për shembull, disa bashki të vogla e ndërpresin ujin ndërmjet mesnatës dhe orës 07.00 të mëngjesit, për të lejuar mbushjen e rezervuarëve komunalë.
Një masë e cilësuar si “shkatërruese” nga kryetarët e bashkive. Në vazhdën e valës anormale të të nxehtit, Spanja u përball me një sezon të thatë jashtëzakonisht të gjatë dhe intensiv.
Një problem i shkaktuar nga ndryshimet klimatike, i cili sipas studiuesve po çon në një ndryshim të dukshëm të biosistemit veçanërisht në rajonet jugore, me pasoja serioze në florën dhe faunën lokale. Vlerësohet se deri në 27 milionë spanjollë do të duhet të përballen me mungesën e ujit deri në vitin 2050.



