
Partia Socialiste ka mbledhur sot paradite kryesinë e saj. Në takimin ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama është diskutuar strategjia politike gjatë sesionit të ri parlamentar si dhe rendi i ditës për Asamblenë që mbahet më 6 shtator.
Në përfundim të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, tha se krahas procesit të llogaridhënies publike të qeverisë për punën e deritanishme, do ë nis fushata e anëtarësimeve të reja në prag të zgjedhjeve lokale.
“Në fillim të këtij sesioni parlamentar dhe politik, PS mblodhi kryesinë e cila diskutoi dhe pastaj miratoi çështjet për të cilat të premten do të thirret Asambleja Kombëtare, e cila do të jetë terësisht e fokusuar në një raport të llogaridhënies publike të qeverisë për punën që kemi bërë tani. Për secilën prej njësive administrative në gjithë territorin. Është shumë e rëndësishme që krah përfundimit të procesit të llogaridhënies të fillojmë prej sot një fushatë kombëtare të anëtarësimeve të reja në PS me qëllim që të bëjmë një organizim më të mirë strukturor dhe elektoral në përgatitje të zgjedhjeve vendore. Përkrah kësaj do të jemi të fokusuar në një proces më të hollësishëm komunikimi dhe dëgjesash ku përfaqësuesit vendorë të PS në nivel kryetarë bashkish apo anëtarë këshillash bashkiakë do të rikthehesn sipas kësaj fushate në çdo cep, çdo komunitet dhe fshat për të mbajtur shënim”, tha ai.
Kryesia e Partisë Socialiste miratoi grupin strategjik për zgjedhjet vendore të 2019 të kryesuar nga Blerina Gjylameti, e cila do të jetë edhe sekretare për organizimin e elektoral dhe drejtuese politike e Tiranës.
Ndërkohë anëtarët e grupit strategjik për zgjedhjet do të jenë Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, Bledi Çuçi, Erion Veliaj, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla.



