
Kreu i demokratëve, Lulzim Basha përmes një konference të sotme për media, fill pas raportit përfundimtar të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), mbi zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri, theksoi se gjërat që i ka zbuluar dhe publikuar Partia Demokratike janë konstatuar dhe në ketë raport.
“Ky raport i OSBE/ODIHR-it është vula e turpit”, ka deklaruar fillimisht Basha në fjalën e tij.
Kryedemokrati ka sjellë në vëmendje se shkrirja e partisë në pushtet dhe e shtetit, abuzimi me pushtetin janë gjëra që janë raportuar nga PD-ja dhe konstatohen në raport.
“Qytetarët u njohën tashmë me raportin e OSBE që u publikua ditën e djeshme. Konfirmoi atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e dinë tashmë. Në fakt konfirmohet ajo që kemi thënë se 25 prilli ishte masakër zgjedhore. E kemi thënë, e kanë parë shqiptarët. E di e gjithë bota demokratike. Ky raport është vula e turpit në vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizimit. Shkrirja në një e partisë në pushtet dhe shtetit. E kemi thënë ne, e thotë dhe raporti. Rritje fiktive e punësimit në administratë dhe presion, e kemi thënë ne, e konstaton dhe raporti. Përdorimi i fondeve publike, e kemi thënë, e kemi denoncuar, e konstaton edhe raporti. Vjedhja e të dhënave dhe ngritja e sistemit kriminal, e kemi thënë ne, e zbuloi media dhe e konstaton edhe raporti. Përdorimi i grupeve kriminale, e kemi thënë ne, e thotë edhe raporti. Kemi depozituar 185 padi në SPAK dhe Prokuroritë e rretheve në lidhje me këto krime. Por sërish asnjë nga krimet nuk është ndëshkuar. Nuk po fërkojmë duart nga gëzimi se na doli fjala. Më 25 prill nuk ishte PD që u dëmtua, por Shqipëria dhe shqiptarët.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur shqetësimin në lidhje me lirimin e Astrit Avdylit dhe 3 të tjerëve të dosjes 339. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Basha u ndal dhe te lirimi i disa prej pjesëtarëve të dosjes “339”, të vjedhjes së votave në Durrës, përkatësisht shtetasve Astrit Avdyli, Jasin Kala dhe Denis Llaftiu, pasi iu përfundoi afati i paraburgimit. Basha i bëri thirrje SPAK të ndjekë me përparësi dosjet e krimeve zgjedhore, si dhe të mos lirojë autorët e dosjes “339”.
"Në të njëjtin ditë kur kërkohet hetimi i krimeve zgjedhore lirohen protagonistët e dosjes së Shijakut. Raporti i OSBE konfirmoi se 25 prilli nuk zgjidhi asgjë për shqiptarët,as për ata që votuan opozitën as për ata që votuan partinë në pushtet. Pyetja që shtrohet është kush do ta ofrojë arsimin më të mirë, rendin dhe sigurinë, shansin për një jetë më të mirë? Këta që shantazhuan punonjësit e administratës, këta që përdorën krimin për votat, këta që ia falën pasuritë e vendit një grushti oligarkësh për të marrë në këmbim para për një grusht votash? Detyra jonë, detyra e PD-së është që të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të vetëdijshëm që koha na ka dhënë të drejtë për të gjitha pretendimet tona", tha Basha.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha në këtë konferencë për media, u pyet edhe lidhur faktin nëse Sali Berisha do të jetë apo jo pjesë e grupit parlamentar të PD në shtator, pasi u shpall 'non grata' nga SHBA.
Basha tha se nuk do të komentojë sot asnjë çështje tjetër, veç asaj për raportin e OSBE për zgjedhjet e 25 prillit.
"Ne jemi krenar për ligjin për dekriminalizimin, ne nuk harrojmë se detyruam maxhorancën të pranonte plagën e rëndë të kriminalizmin të politikës, që është kryekëput një vepër e mirëmenduar e kreut të PS. Është kthyer në një problem edhe për ekonominë që po vuan pasoja të rënda të kriminalizimit në sektorë të veçantë të saj. Shteti është vënë nën funksion të një pakice. Beteja jonë për dekriminalizmin do të vazhdojë me të gjithë fuqinë., Nuk komentoj asnjë çështje jashtë këtij raporti dhe do mbetem i hapur për çdo pyetje në ço rast tjetër. Çdo shmangie e vëmendjes publike nga interesi, nuk i shërben opinionit publik", tha Basha.
Basha tha mes tjerash se fusha e betejës së PD do të jetë pushteti vendor dhe raporti i OSBE, që përmes reformave, pushteti ti rikthehet qytetarëve.
‘’Kjo është betejë që na takon të gjithëve. Të gjithë kanë rolin e vet, drejtësia ka rolin e vet. Pavarësisht ping-pongut të dosjeve 184 dhe 339, pavarësisht faktit se dita kur doli raporti u liruan disa personazhe të 339. PD ka rolin e vet, gjithë lufta jonë, ekzistenca jonë ka qenë për ti shërbyer njerëzve. Nuk mund të ketë ekonomi, arsim, shëndetësi. E gjithë kriza është product i dështimit të demokracisë shqiptare nag partia në pushtet. Pushteti vendor është një nga hallkat siç e përshkruan dhe raporti i OSBE, do të jetë një nga fushë betejat që përmes reformave dhe zbatimit të reformave që pushteti ti rikthehet qytetarëve. Fokusin ta mbajmë tek raporti.
Puna jonë me partnerët ndërkombëtare nuk ka rreshtur dhe nuk rresht. Përballë kemi një kundërshtar që nuk kursen askënd. Për të mbajtur me padrejtë shtetin, vendin dhe njerëzit në kurthin e riciklimit të vazhdueshëm të gënjeshtrave. Tek partnerët kemi patur përherë mbështetje dhe mirëkuptimin sa herë ato vlera që na bëjnë bashkë na cënuan. Raporti është edhe kontribut i partnerëve, ndonëse në kushte pandemie u angazhuan dhe dërguan vëzhgues. Bashkë me ta të çojmë përpara një interes që nuk është vetëm i PD dhe opozitës, por i Shqipërisë dhe atyre që për 31 vite kanë investuar për demokraci, shtetin e së drejtës, mirëqenien e shqiptarëve. Këto janë kauza që na bashkojnë. Presim, kemi besim se me partnerët tanë do të zhvillojmë ura dialogu e bashkëpunimi për një platformë për ti rikthyer vendin legjitimitet.’’- tha Basha.



