Kryeministri bullgar Rosen Zhelyazkov njoftoi dorëheqjen e tij të enjten, pas disa javësh protestash masive për shkak të mënyrës se si e menaxhoi ekonominë dhe korrupsionit qeveritar.
Gazetari Svetoslav Todorov, duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv tha se kjo ishte protesta më masive që pas rënies së komunizmit. Ai theksoi se lidhja mes qeverisë dhe oligarkëve ishte tashmë e qartë dhe kjo ishte shkëndija që ndezi protestat. Todorov tha se Bullgaria po përballet me një problem të madh hyrja e oligarkëve në qeveri dhe Parlament.
“Ai (kryeministri) u dorëhoq dje në mesditë pas protestave masive që erdhën pas ligjit shumë kontroversal për buxhetin 2026. Këto protesta u shtrinë jo vetëm në kryeqytet, por edhe qytete të mëdha, por edhe fshatra të vogla. Mund të quhet protesta e dytë më e madhe që pas rënies së komunizmit në Bullgari. Arsyet që çuan në këtë dorëheqje ishte buxheti, rritja e taksave dhe sigurimeve shoqërore si dhe rritja e kredive.
Javët e fundit në Bullgari kemi pasur një shkelje të të drejtave civile, që ishte një nga arsyet kryesore të protestës. Ishte një periudhë e gjatë pakënaqësie e madhe, masive, që është prej kohësh në Bullgari, dhe lidhet me pushtetin që u është dhënë oligarkëve dhe arsye të tjera. Korrupsioni është i përhapur në masë, askush s’është bërë përgjegjës, mungesa e reformave strukturore, kanë shkaktuar pakënaqësi gjatë viteve.
Protestat ishin aq masive dhe të përhapura, por ajo që dua të theksoj, se për herë të parë morën pjesë masivisht të rinj, që akoma s’kanë votuar, dhe kjo thekson nevojën për të ndryshuar diçka. Pakënaqësia përfshinte të gjitha shtresat e popullsisë, krahas të rinjve ka edhe të tjerë të pakënaqur. S’mund të them se qeveria e ka shumicën pasi përbëhet nga parti të vogla që u detyruan të futen në koalicion.
Po flas për disa fraksione që u bashkuan bashkë vetëm që Bullgaria të pranohej në Eurozonë. Ishte një mesazh i qartë që Bullgaria do të vazhdojë të qëndrojë në BE, ne duam të jemi pjesë e kësaj kulture. Vendet që pranohen në Eurozonë fillojnë të zhvillohen shpejt, ecin me hapa më të shpejtë”.
I pyetur pse Bullgaria s’e ka luftuar korrupsionin duke qenë pjesë e BE, ai përgjigjet: “Është pyetje e vështirë. S’mund të përgjigjem thjesht. Ka pasur vite me radhë që njerëzit s’kanë qenë politikisht aktiv. Njerëzit kanë pritur që dikush nga BE do vinte dhe do t’i zgjidhte problemet tona, por ky s’është rasti. Demokracia është diçka që zhvillohet, probleme kanë edhe vende të tjera të BE".
Gazetari theksoi që: “Lidhja mes qeverisë dhe oligarkëve është e dukshme, e qartë. Kjo ishte shkëndija e parë që ndezi protestat në gjithë vendin. Kur oligarkët arrijnë të hyjnë në qeveri dhe Parlament, ky është problem i madh. Nuk mendoj që këto protesta e zhdukën këtë problem, por kemi bërë hapin e parë në këtë drejtim”.



