Policia e Shkodrës zbardh atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, me dy të vrarë dhe dy të plagosur duke zbuluar identitetet e tyre dhe të autorit të dyshuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali.
Dyshohet se shtetasi Ragip Gila ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi Erogen Vaso alias Brajovic, 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë.
Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi Armando Pali, ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi Liridon Kraja (L.), 31 vjeç.
Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike.
Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë gazetarja Bendis Druni raportoi për MCN Live, se viktima Liridon Kraja rezulton të jetë truproja i Erogen Vasos, i cili mbeti i plagosur.
Armando Pali rezulton ish-këshilltar bashkiak në Shkodër dhe aktualisht pjesë e IMT, ndërsa e plagosura 25-vjeçare rezulton e punësuar në lokalin ku ndodhi krimi.
Autori është afruar me një motor në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe më tej ka hapur zjarr me breshëri kallashnikovi.
Mbetet ende e pakonfirmuar se kush ka qenë shënjestra e të shtënave Armando Pali apo Erogen Vaso, teksa policia po heton për zbardhjen e dinamikës së krimit.
Gila pas krimit ka lënë motorin e ndezur dhe ka vrapuar duke i drejtuar armën një qytetari, të cilit i ka marrë makinën dhe është larguar me skafandër në kokë, duke bërë që policia ta pikasë dhe arrestojë thuajse në dalje të qytetit të Shkodrës.
Mësohet se në dhjetor të vitit 2023 Gila është arrestuar për arsenal armësh dhe drogë.



