Ish-zëvendës ministri i Arsimit, Taulant Muka, për arrestimin e ish-shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini një ditë më parë dhe lirimin disa orë më vonë, pas një hetimi lidhur me manipulimin e një tenderi publik në favor të Kolegjit të Europës, heq paralele me atë që ka ndodhur në Tiranë.
Ai tha për “MCN Live” se 17 milionë euro të planifikuara për investim në kampusin e Universitetit të Tiranës u morën dhe i kaluan Kolegjit të Europës.
Në këtë drejtim ai kërkoi që çështja të hetohet nga SPAK.
Kolegji i Europës është me histori të suksesshme dhe këto zhvillime nuk i shërbejnë modelit që ky kolegj ka promovuar ndër vite. Bëhet fjalë për 17 milionë euro për investim në kampusin e Universitetit të Tiranës të cilat janë marrë dhe i kanë kaluar Kolegjit të Europës.
Toka i është marrë universitetit të Tiranës, Kolegji i Europës nuk është pronë e shtetit shqiptar dhe këtu ngrihen shqetësime që lidhen edhe me lejen e ndërtimit. Me letrën që i kemi dërguar Bashkimit Europian në qershor mbi këtë çështje, nuk janë ndjekur procedurat e zakonshme, jepet leja e ndërtimit fillimisht. Ishte projekti por nuk ishte leja e ndërtimit.
Kolegji i Europës jep diploma. 25 mijë studentëve shqiptarë iu hiqet konvikti dhe i jepet Kolegjit të Europës. Rektorja Mogherini duhet të përfaqësojë vlerat europiane dhe morali këtu nuk është moral europian, është moral alla ballkanas. Kolegji i Europës është një investim i drejtpërdrejtë i BE dhe ka detyrim ligjor për kontekstin e transparencës.
Këtu bëhet fjalë për 17 milionë euro që janë transferuar nga investimi për kampusin e Universitetit të Tiranës, për Kolegjin e Europës. Janë çështje që SPAK duhet t’i marrë në konsideratë lidhur edhe me hetimet që po bëhen në Bruksel. Si është e mundur që merren para publike dhe jepen për Kolegjin e Europës.
Ka ardhur koha që SPAK të marrë dhe dosjen e plagjiaturave dhe atë të shpërdorimit të fondeve publike. Fenomeni Mogherini përbën një krizë në debatet akademike. Si është e mundur që një rektore pa një titull akademik, pa një doktoraturë të marrë një drejtim të tillë pa përfaqësuar vlerat europiane.



