“Diplomacia ekonomike” është një monografi e thelluar nga Emilio Çika, pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare. Në studion e MCN TV, Çika tha se studimi përqendrohet veçanërisht te mënyra si u zhvillua diplomacia ekonomike e Shqipërisë pas viteve ’90. Ai theksoi se pas vitit 2013 pati një rikthim të vëmendjes te diplomacia ekonomike, por konkretisht ajo ka dhënë më pak rezultate sesa ka premtuar. “Studimi është përqendruar te mënyra si pas viteve ‘90 u zhvillua diplomacia ekonomike e Shqipërisë. Shqipëria pas viteve 2000 është përpjekur ta zhvillojë diplomacinë e saj ekonomike në forma të ndryshme. Ajo e bëri këtë duke e përshtatur me atë të Bashkimit Europian. Sot jemi në një fazë kur Shqipëria, pas vitit 2013, pati rikthim të vëmendjes kundrejt diplomacisë ekonomike, edhe pse konkretisht nuk është bërë aq sa është reklamuar”, tha ai. Në kontekstin botëror, diplomacia ekonomike është shndërruar në një nga mjetet më të rëndësishme të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare. Çika tha se studimi përmbush nevojën e librit akademik në Shqipëri lidhur me këtë temë, pasi për arsye të veçantisë së fushës, mungon në botimet në Shqipëri. “Studimi analizon ndryshimet dhe sesi ka luajtur rol diplomacia ekonomike pas viteve 90. Ekonomia kishte në bazë tregun dhe u deshën ndryshime të mëdha për t’u përshtatur me këtë realitet të ri. Në të gjitha tallazet që Shqipëria ka kaluar, një nga mjetet më të rëndësishme që Shqipëria duhet të përdorë është diplomacia ekonomike. Mënyra se si duhet të përshtaten ekonomitë e vendeve në raport me globalizmin është shumë e rëndësishme. Dhe në rastin e Shqipërisë mënyra si ajo mund t’i shfrytëzojë potencialet që ka në këtë aspekt. Politika e jashtme dhe ekonomia janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme. Diplomacia ekonomike është një nga mjetet që përdorin shtetet më të zhvilluara dhe organizatat ndërkombëtare. Ka një dallim mes diplomacisë ekonomike dhe asaj tregtare”, u shpreh Çika.



