
Libri biografik për Presidentin e vendit, Hashim Thaçi, i cili ka shkaktuar debate në Kosovë, është në prag të botimit. I shkruar nga dy gazetarë të famshëm britanikë, Roger Boyes dhe Suzy Jagger, me titullin “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography”, me rreth 320 faqe, ai pritet të botohet në muajin shkurt. Në një intervistë të shkurtër për KosovaPress, presidenti Thaçi pohon se i ka autorizuar intervistat të cilat i ka dhënë me kërkesë të autorëve, porse nuk ka ide se çfarë përmban libri në tërësi.
Presidenti Thaçi ka thënë se këto intervista kishin të bënin me jetën e tij private dhe publike, që nga lindja deri në ditët e sotme. “Intervistat janë një përmbledhje i jetës sime private dhe publike, që nga lindja deri në ditët e sotme. Pra, nga vitet e fëmijërisë në Burojë e deri tek inaugurimi si president i vendit, duke përfshirë edhe sfidat e fundit me të cilat po ballafaqohemi si shtet”, deklaron Thaçi.
Libri po promovohet në Amazon prej disa muajsh, ndërsa promovimi do të bëhet në Londër, Uashington dhe Bruksel gjatë javëve në vazhdim.



