
Bordi i Transparencës rrit me 7 lekë çmimin e naftës, ku nga 216 lekë që ishte litri bëhet 223. Në mbledhjen e ditës së sotme janë caktuar çmimet e reja të tregtimit të karburanteve, ku çmimi i benzinës ka mbetur i pandryshuar, ndërsa gazi është rritur me 1 lekë.
Çmimet e vendosura nga Bordi i Transparencës
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 223 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 211 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 194 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 182 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet.
Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 24 shtator ora 18.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i Transparencës sqaron se që ne krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve.
Ministria e Financës ndjen detyrimin të sqaroj opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.
Nënvizohet se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ.
Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative.
Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit.
Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim.



