Helmi i bletëve mund të ndihmojë në kurimin e kancerit të gjirit. Shkencëtarët australianë thonë ky lloj helmi shkatërron qelizat agresive të kancerit të gjirit në një mjedis laboratorik. Helmi - dhe një përbërje në të e quajtur melitin - u përdorën kundër dy llojeve të kancerit, të cilat janë të vështira për t’u trajtuar: trefish-negativ dhe i pasuruar me HER2.
Zbulimi është cilësuar shumë i rëndësishëm, por shkencëtarët paralajmërojnë se duhen prova të mëtejshme. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm që prek gratë në të gjithë botën.
Ndërsa ka mijëra përbërës kimikë të cilët mund të luftojnë qelizat kancerogjene në një mjedis laboratorik, shkencëtarët thonë se pak prej tyre mund të prodhohen si trajtim për njerëzit.
Më parë është zbuluar se helmi i bletës ka veti antikancer për lloje të tjera të kancerit të tilla si melanoma. Studimi i kryer nga Instituti i Kërkimeve Mjekësore Harry Perkins në Australinë Perëndimore u botua në “Nature Precision Oncology”.
Në funksion të studimit u testuan helmi i mbi 300 bletëve. Helmi i tyre i koncentruar u zbulua se shkatërron qelizat kancerogjene brenda një ore, me dëmtime minimale në qelizat e tjera. Por toksiciteti rritej për nivele të tjera dozimi.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se përbërja e melitinit ishte e efektshme në ndalimin apo shkatërrimin e procesit të rritjes së qelizave kancerogjene. Melitina është e natyrshme në helmin e bletës, por gjithashtu mund të prodhohet edhe sintetikisht.
Tradicionalisht, kanceri i gjirit trefish-negativ - një nga llojet më agresive - është trajtuar me kirurgji, radioterapi dhe kimioterapi. Ai përbën 10-15% të rasteve me kancerit të gjirit.



