
Në datën 15 shtator të këtij viti “Xhadat” transmetoi rastin e fshatit Balldren, të Bashkisë së Elbasanit, i cili vuante problemin e mbetjeve.
Ishin të shumtë qytetarët, që me të drejtë ankoheshin për rrezikun që u kanosej fëmijëve të tyre, të cilët në mungesë të një parku luanin në fushën e zonës, që ishte e pushtuar nga plehrat.
Pas shqetësimit të banorëve, “Xhadat” u drejtua pranë Njësisë Administrative Papër, nga ku administratori Erald Gjeli, premtoi që shumë shpejt do të merreshin masa duke i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.
Menjëherë pas transmetimit të shqetësimit të kësaj zone, Bashkia Elbasan reagoi duke bërë pastrimin e zonës dhe shtimin e koshave të mbeturinave.
Pra, u desh që “Xhadat” të zbriste në terren dhe t’i jepte zë këtij problemi që pushteti të vepronte.



