Gratë shtatzëna rrezikojnë shtatë herë më shumë që të lindin para kohe nëse infektohen me Covid-19 në fund të shtatzënisë së tyre.
Një studim i fundit izraelit ka zbuluar se Covid-19 lidhet me një rrezik të rritur për lindje të parakohshme, por vetëm për gratë e infektuara në tremujorin e fundit të shtatzënisë.
Këshillohet që gratë pas javës së 34 të shtatzënisë të mbajnë maska dhe të respektojnë distancën sociale, për të reduktuar rrezikun e infektimit.
Studimi ku u përfshinë më shumë se 5000 gra shtatzëna është një nga të parët që ka monitoruar rezultatet e shtatzënisë për pacientët me Covid, në tremujorin e fundit.
Megjithatë, ekipi studiues nuk gjeti asnjë ndryshim në shanset për të humbur një fëmijë midis grave të infektuara dhe jo të infektuara, raporton Independent.
Epidemiologia Noga Fallach dhe kolegët e saj në Qendrën e Kërkimit dhe Inovacionit Kahn-Sagol-Maccabi, përdorën të dhëna anonime të marra nga Shërbimet Shëndetësore të Maccabi në Izrael për të krahasuar 2753 gra që ishin infektuar gjatë shtatzënisë me 2753 gra pa infeksione të raportuara Covid-19.
Studimi u zhvillua nga 21 shkurt 2020, deri më 2 korrik të vitit 2021. Nga gratë e infektuara, 17.4 për qind u infektuan me Covid gjatë tremujorit të parë, 34.2 për qind gjatë tremujorit të dytë dhe 48.4 për qind gjatë tremujorit të tretë.
U konstatua se infektimi me Covid në tremujorin e parë dhe të dytë nuk u shoqërua me rritjen e rrezikut të lindjes së parakohshme.
Ndërsa gratë e infektuara në tremujorin e tyre të tretë kishin 2.76 herë më shumë gjasa për të lindur para kohe, ndërsa gratë e infektuara pas javës së 34 të shtatzënisë rrezikonin më shumë se shtatë herë që të kishin lindje të parakohshme.
Doktor Tal Patalon, kreu i qendrës kërkimore, tha se rezultatet janë inkurajuese dhe siguruese që infeksioni Covid-19 gjatë shtatzënisë nuk lidhet me asnjë lloj humbje të shtatzënisë.
Sidoqoftë, duhet mbajtur parasysh se grupi hulumtues testoi variantit Delta të Covid dhe nuk i referohet variantit dominues sot, që është Omicron.
Ne vazhdojmë të kryejmë kërkime për të ofruar të dhëna dhe njohuri të botës reale për publikun dhe vendimmarrësit.



