
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka urdhëruar një pauzë të përditshme pesë-orëshe në sulmin e qeverisë siriane në zonën rebele të mbajtur në Lindjen e Ghouta.
Ajo do të fillojë të martën dhe do të përfshijë krijimin e një "korridori humanitar" për të lejuar civilët të largohen.
Enklava rebele pranë Damaskut, ku 393,000 civilë janë bllokuar, ka qenë nën bombardime të forta nga forcat qeveritare me mbështetje ruse.
Më shumë se 560 njerëz janë vrarë në tetë ditë, thotë një grup monitorues.
Ministri i Mbrojtjes së Rusisë Sergei Shoigu njoftoi se armëpushimi do të vazhdojë nga ora 09:00 deri në 14:00 çdo ditë, ndërsa shtoi se detaje të tjera për korridorin do bëhen të ditura së shpejti.
Në një tjetër deklaratë, ministria tha se Gjysmëhëna e Kuqe sirian do të ndihmonte në ngritjen e korridorit dhe njerëzit do të merrnin informacion rreth saj nëpërmjet fletëpalosjeve, mesazheve me tekst dhe video.
Këshilli i Sigurisë së OKB-së bëri thirrje në mënyrë unanime të shtunën për një armëpushim 30 ditor. Rezoluta e OKB-së kërkon që ‘të gjitha palët të pushojnë armiqësitë pa vonesë’ për të lejuar shpërndarjen e ndihmave dhe evakuuimet e të plagosurve.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha të hënën se rezoluta duhet të zbatohej menjëherë, duke paralajmëruar: "Ghouta Lindore nuk mund të presë. Është koha për të ndaluar këtë ferr në Tokë".
Por ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u tha gazetarëve se armëpushimi i mandatuar nga OKB do të "fillojë kur të gjitha palët e konfliktit të bien dakord se si ta prezantojnë atë".



