Aktori dhe komediani Gentian Zenalaj i ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN” ka folur lidhur me problematikat me të cilat po përballen sot aktorët dhe vetë arti.
Ai ka folur për mbylljen e “Klanifornisë” për të cilën tha se ndjen keqardhje për çdo spektakël humori që mbyllet ndërsa u shpreh se ato duhet të vazhdojnë. Sipas tij, artit po i bëhet një sulm dhe të parët që sulmohen janë artistët.
Aktorët po përpëlitet dhe mbyllja e çdo spektakli humori është humbje shumë e madhe. Shqipëria duhet ti shtojë ato sepse ne jemi popull shumë solar dhe sa hapim televizionin 20 minuta i zë kronika e zezë. Ka një re të zezë që vjen vërdallë mbi kokat e shqiptarëve dhe mendoj se një spektakël humori është një lule, një rreze. Mendoj se ato duhet të vazhdojnë dhe lus zotin që spektaklet e humorit të kalojnë dhe në menaxhimin privat mos të jenë të lidhur vetëm me televizionet.
Më tej ai shtoi se artistët janë shtresa më e lënë pas dore në këtë vend dhe nuk po flet për ata që janë të punësuar me një rrogë fikse, por për artistët e lirë, janë braktisur totalisht. Ai tha se një biletë teatri është investim dhe jo shpenzim.
Nuk ka vëmendje, Tirana po shtohet, dhe nuk shtohen salla, ambiente fasilitete për këta artistë. Mendoj se sulmi që po bëhet ndaj artit në përgjithësi dhe mund ta quajt sulm të qëllimshëm. Megjithatë shoh një pozitivitet të mirë në rrethe ku tashmë Durrësi dhe Korça janë të konsoliduar me një publik të mirë. Gjirokastra po zgjohet, Lezha po ashtu. Defitinivisht njerëzit duhet ta kuptojnë se vajtja në teatër edhe pse e di që janë të varfër por një biletë në muaj nuk është shpenzim. Artistët janë problematik përgjithësisht nuk duan të përshtaten brenda rregullave dhe të parët që sulmohen janë ata. Po krijohet një shoqëri e futur brenda kornizave. Por më besoni një biletë teatri është investim dhe kurrë shpenzim. Të merren dhe fëmijët me vete për të treguar se përmes artit ne bëhemi më të mirë, të bukur, sepse arti është një formë emancipimi.
Në vijim ai shtoi se është duke punuar fortë për të krijuar një publik besnik të komedisë dhe se vetë është duke u argëtuar shumë me teatrin.
Shoqatat private janë stepur sepse kemi ndërtime pa fund, Tirana është kthyer në parkim, pallat, por jeta e mirë nuk është vetëm pallati i bukur, por nëse ka një kinema, një pistë biçikletash për fëmijët etj. Ky sulm që po ndodh ndaj artit do ta bëjë të vetën deri në fund, por artistët nuk do të dorëzohen sepse në momentin kur artisti dëshpërohet bën gjëra vetëm për lekë. Kam një fazë që po kaloj një adoleshencë të dytë, por argëtohem me teatër dhe lus Zotin që mos t’ju bëhem njerëzve i mërzitshëm. Më vjen keq që ne s’po krijojmë një teatër të mirë komedie dhe për fatin tonë të keq nuk u arrit kurrë sepse kemi publik të mrekullueshëm komedie. I kam një falenderim shumë të madh Portokallisë, e cila krijoi një zë shumë të mirë për të dalë aktorë shumë të mirë. Njerëzit se kanë të lehtë të japin ty atë formë që ti do, por ironia sarkazma janë një gjë që unë e preferoj shumë, është një punë që e dua ta bëj dhe se di ku do shkoj.



