
Një grup i rezistencës anti-talebane në Afganistan thotë se ka mijëra njerëz të gatshëm për të luftuar.
Ali Nazary, kreu i marrëdhënieve me jashtë për Frontin e Rezistencës Kombëtare të Afganistanit (NRF) ka thënë për BBC se ata duan të vazhdojnë negociatat paqësore ndërkohë që ka shtuar se "nëse kjo dështon atëherë nuk do të pranojnë asnjë lloj agresioni". Sipas tij qëllimi përfundimtar i NRF është një formë e decentralizuar e qeverisjes në vend. Megjithatë nëse kjo nuk arrihet "mijëra forca janë gati për rezistencën", deklaron ai.
Ndërkohë, nga ana tjetër talebanët thonë se kanë rrethuar fortesën e grupit të luginës Panjshir.
Figurat e rezistencës kanë thënë gjithashtu se talebanët po përparojnë në rajon, në verilindje të kryeqytetit Kabul.
Amrullah Saleh, i cili ishte nënkryetar në qeverinë e rrëzuar nga talebanët dhe tashmë është i vendosur në Panjshir, shkroi në Twitter se talebanët kishin grumbulluar forca pranë hyrjes në luginë.
Rajoni Panjshir, në veçanti Lugina Panjshir është e famshme për suksesin në disa luftra, përfshirë ato me forcat sovjetike gjatë luftës sovjeto -afgane nga 1979 në 1989 dhe talebanët në vitet 1990.
Tashmë, rajoni është ende nën kontrollin e NRF, e cila u themelua nga Ahmad Massoud, djali i heroit të rezistencës afgane Ahmad Shah Massoud.
Ahmad Shah Massoud ishte komandant gueril i fuqishëm, i cili udhëhoqi rezistencën kundër BRSS dhe vazhdoi të drejtonte krahun ushtarak të qeverisë afgane kundër milicive rivale në vitet 1990. Pasi talebanët morën kontrollin, ai ishte komandanti kryesor i opozitës kundër sundimit të tyre, deri në vrasjen e tij në 2001-shin.



