Protesta e opozitës është zhvendosur drej selisë blu, ku kryetari Lulzim Basha, mbajti një fjalim para protestuesve. Basha tha se sot opozita dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçin parlamentit të krimit, duke u vënë në krah të qytetarëve. Ai u bëri thirrje qytetarëve në rrethe që t’i bashkohen opozitës për të larguar Ramën nga pushteti.
“Misionarë të shpresës, opozita parlamentare sot dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçin Parlamentit të krimit. Prej ditës së sotme, ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju. Nisëm sot një rrugëtim shprese që nuk do ndalet derisa të largojmë kryehajdutin. Në çdo cep të Shqipërisë le të nisim këtë rrugëtim shprese dhe force të pandalshme dhe popullore për rrëzimin e regjimit kriminal, largimin e Maduros dhe për të rikthyer në çdo vatër besimin se e nesërmja po vjen, po miq Shqipëria do të ketë të ardhme dhe kjo nuk i takon kriminaleve, Nicave, Shullzëve, narkotrafikantëve, oligarkëve hajdutë që u kanë hequr bukën e gojës fëmijëve tuaja, nuk i takon njeriut që e solli këtë të zezë, Ramës dhe bandës së tij hajdute”, tha Basha.



