Edhe pse gazjellësi TAP është gati të nisë funksionimin, Shqipëria nuk ka ende rrjetin e saj të shpërndarjes në vend. Për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, kjo është një mundësi e humbur. Tomorri tha në studion e lajmeve në TvT se buxheti i shtetit nuk i ka paratë për të ndërtuar një rrjet të tillë.
“Sa i përket rrjetit të shpërndarjes së gazit, nuk ka asnjë hap konkret. Ka pasur disa marrëveshje me kompani, një prej tyre ka qenë kompania shtetërore e gazit. Gazifikimi i Shqipërisë do të kushtonte 700-750 milionë euro investime. Jemi në kushtet që buxheti nuk i ka këto para dhe do të mbetet në letër”, tha ai.
Sipas Tomorrit, kjo është një mundësi e humbur për bizneset vendase dhe si pasojë edhe ekonominë.
“Pra Shqipëria nuk do të marrë përfitimet se në këtë vend kalon një vepër e tillë strategjike. Bizneset dhe qytetarët nuk do të kenë akses te gazi me çmim të lirë. Ky gaz do të ishte një mënyër e mirë për të ulur kostot e bizneseve. Është një mundësi e humbur. Nuk e di nëse Shqipëria do të fillojë ta ndërtojë rrjetin e shpërndarjes së gazit, por deri tani nuk ka asnjë hap konkret”, tha ai.



