Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Agim Rrapaj në ‘MCN Economy’ ka folur lidhur me faktorët që kanë ndikuar në një rënie të prodhimtarisë në vreshtari.
Ai tha se një nga faktorët janë problemet e motit të keq që kanë shoqëruar vendin tonë, por sipas tij kryesor mbetet mangësia ligjore e cila lidhet me mungesën e siguracionit për fermerin. Rrapaj sqaroi se dëmet janë tepër të mëdha, por që nuk ka një shifër konkrete sepse nuk janë vlerësime.
Rënien e prodhimit në vreshtari do e ndaja ne dy kategori në vreshtin që rritet në sera dhe ai për përpunim. Problemet e motit të keq e kanë shoqëruar dhe këtë vit sidomos prodhimet e fushës. Moti i keq ka ndikuar në sëmundje duke ulur dhe prodhimin. Ky është një problem i njohur dhe është i lidhur me një mangësi ligjore që është se nuk kemi një ligj për siguracionin për të stimuluar fermerin që ta sigurojmë atë për të përballuar ndryshimet e motit që po shpeshtohen nga viti në vit.
E para duhen bindur ligjvënësit dhe propozuesit që të nisin një procedurë për këtë ligj të domosdoshëm, por askush s’po merr një iniciativë që është e domosdoshme por kemi ngelur në diskutime. Ky është elementi kyç i domosdoshëm. Natyrisht janë bërë disa arnime si mbrojtja me rrjeta nga breshëri apo arnime të tjera por që nuk janë zgjidhje. Natyrisht kjo sjell një sërë pasojash.
Në vijim ai shtoi se fermerët që kultivojnë rrush kanë shpenzuar kanë marrë kredi dhe dëmi i shkaktuar nuk ka ndonjë shifër konkrete sepse nuk janë bërë vlerësime, por e keqja e madhe e jona ka qenë se këto kanë qenë episodike.
Kjo është pasqyruar disi dhe te rritja e prodhimit por në fund të fundit e ka pësuar prodhuesi, jo konsumatorët, ata kanë humbur shumë dhe kanë fituar pak.



