Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, thotë se qeveria do t’i ndihmojë fermerët që kanë vështirësi për shlyerjen e kredive nëpërmjet ristrukturimit të tyre ose edhe nëpërmjet amnistisë. Nga Fieri, ku zhvilloi një takim me fermerët, Panariti tha se financimi nëpërmjet një granti japonez, që u përdor nga qeveria e shkuar si fond kredie, bëri që fermerët të mos ishin konkurrues.
“Qeveria shqiptare, Ministria e Bujqësisë po punon me vullnetin e mirë në mënyrë që disa financime që janë bërë nëpërmjet grandit japonez, por që qeveria shqiptare e asaj kohe i përdori si kredi, çoi që fermerët të mos ishin konkurrues, pavarësisht se shumë prej tyre kanë arritur të shlyejnë mbi gjysmën e kredisë ndodhen në vështirësi. Qoftë nëpërmjet ristrukturimit të kredive, qoftë nëpërmjet amnistisë, ne t’i kthejmë ata në cikël prodhues. Ky është qëllimi. Jo t’u sekuestrojmë investimet e tyre, por t’i fusim përsëri në cikël prodhimi”, tha ai.



