Përpjekjet pa finalizim për reformën zgjedhore, analisti dhe gazetari Mustafa Nano i sheh si “betejë njerëzish të prapë”. Në një analizë në studion e TvT, Nano tha se palët e angazhuara në bisedimet për reformën po turpërojnë vendin.
“Këta janë të gjithë mjeshtra. Ata që janë në opozitë sot e kanë të qartë se çfarë mund të bëjë maxhoranca. Është një betejë njerëzish të prapë. Janë njerëz gati-gati rrugaçë, që po na turpërojnë. Ka ndërkombëtarë të cilëve u japin fjalën dhe në fund nuk përmbyllin asgjë”, tha ai.
Sa i takon propozimit të PD-së për qeverinë tranzitore, Nano tha se para së gjithash, zoti Basha duhej të kërkonte falje për zgjedhjet vendore të vitit 2008, kur ai mori detyrën e kryebashkiakut të Tiranës.
“Zoti Basha e di mirë se çfarë mundësish ka një njeri në maxhorancë për të manipuluar zgjedhjet. Ajo ka qenë vjedhja më spektakolare e votave që është bërë ndonjëherë. Kam pritur që Basha para se të bëjë betejën, të bëjë një ema culpa për atë që ka ndodhur, me atë bashkë dhe me grupin e tij. Ai nuk e ka bërë këtë”, tha ai.
Lidhur me mundësinë e humbjes së zgjedhjeve të radhës nga ana e PD-së, Nano thotë se ai është problem i demokratëve dhe raportit të tyre me liderin e partisë.
“Demokratët nëse duan ta mbajnë, le ta mbajnë edhe 50 vjet. Basha nuk duhej zgjedhur në krye të PD, nuk ka demonstruar personalitet dhe i ka humbur të gjitha betejat në mënyrë të tuprshme. Por ky është një problem i demokratëve”, tha ai.



