
Pas shumë vitesh në televizion, Turjan Hysko vjen me projektin e tij të parë kinematografik, filmin “Kazerma”. Drama, komedia dhe tragjedia e realitetit të sotëm bashkohen në këtë produksion, ku një kast i gjerë aktorësh dhe personazhesh të njohur i japin jetë një tabloje të fortë sociale.
I ftuar në “Zgjohu me MCN”, Hysko thotë se “Kazerma” ka synimin të nxisë reflektim në të gjitha shtresat e shoqërisë, si pasqyrë e një realiteti që është vetë Shqipëria.
Rrugëtimi në televizion ka veçantinë e vet dhe ka pasur gjithmonë sukses, por jo gjithmonë të njëjtin sukses. Jam munduar të bëj diferencën dhe mendoj se produktet televizive nuk duhet të jenë me jetëgjatësi të madhe, sepse konsumohen.
Produktet e mira nuk duhet të zgjasin më shumë se tre vite. Në atë kohë ka pasur treg dhe rrjedhimisht ajo që ti prodhon duhet të jetë brenda ritmit dhe imazheve të kohës, që të mos konsumohet, sepse çdo gjë ka ciklin e vet.”
Sa i takon rikthimit të formatit “Apartamenti XL”, do ta rikthejë edhe një herë, por jo në të njëjtin format.
Lidhur me filmin “Kazerma”, Hyska tha se është Shqipëria në çdo fushë.
Nuk doja të bëja thjesht komedi. Besoj te veprat filmike, shoh shumë kinema dhe tipologji të ndryshme. ‘Kazerma’ do të vlerësohet realisht kur të kalojë pak kohë, sepse tani është ende një lojë adrenaline; njerëzit po e shohin shumë.
Duhet parë kohëzgjatja e ndikimit të saj. Ka qenë ‘filmi i muajit’ në kinema dhe besoj se do të jetë ndër filmat më të parë shqiptarë.
Filmi është një metaforë e realitetit shqiptar. “‘Kazerma’ është Shqipëria në çdo fushë, në politikë, në rrethana të ndryshme. Ne jemi një shoqëri e dhunshme, që nuk respekton atë që është pas vetes, që ka tendencën të jetë servile ndaj atij që është sipër dhe t’i vërë këmbët në fyt atij që është poshtë.
Vlera që janë përqafuar keq, dhe secili prej nesh ka fajin e vet.
Qëllimi i filmit nuk është të tregojë me gisht, por të nxisë secilin të ruajë balancat.



