Kapiteni Tom Moore, një veteran 99-vjeçar i luftës britanike i përshkruar nga Princi Harry si "krejtësisht i mahnitshëm", tani ka rritur më shumë se 25 milionë paund (31.3 milionë dollarë) për shërbimin shëndetësor duke ecur 100 xhiro të kopshtit të tij.
Veterani i Luftës së Dytë Botërore, i cili ecën nëpërmjet një kornize me rrota, i vuri vetes si qëllim ecjen 25 metra rreth kopshtit të tij 100 herë para 100-vjetorit të tij, që do ta festojë më 30 prill.
Ai e përfundoi detyrën e tij të enjten.
Princi Harry, në një intervistë të tijën tha se ishte i nderuar të ishte një veteran i ushtrisë në shoqërinë e njerëzve si Moore.
“Urime Tomit. Ajo që ka bërë ai është jashtëzakonisht e mahnitshme. Nuk është vetëm ajo që ka bërë ai, por edhe reagimi që kanë pasur njerëzit. Mrekullisht britanike”, tha ai.
Synimi origjinal i Moore ishte të mblidhte 1000 paund, por ky synim modest ndryshoi kur vëmendja e mediave nga e gjithë globi u drejtua në kopshtin e tij në Bedfordshire, të Anglisë Qendrore.
Veterani do të jetë mysafir nderi kur të hapet një spital i ri fushor "Nightingale" në Harrogate në veri të Anglisë javën e ardhshme, i cili është ngritur për të ndihmuar në trajtimin e shpërthimit të koronavirusit, njofoton “Reuters”.
"Jam i befasuar nga mirësia dhe bujaria e publikut të Mbretërisë së Bashkuar që vazhdojnë të japin pavarësisht se është një kohë e pasigurt për shumë njerëz", tha Moore në një deklaratë të shtunën.



